Erion Veliaj deklaroi sonte se një nga krenaritë e tij në krye të Bashkisë së Tiranës janë 40 shkollat e reja. Duke folur në News 24, kryebashkiaku Veliaj tha se shumë shpejt do të ndërtohen dhe shkollat e lotit të fundit.
“Krenaria ime më e madhe për këtë mandat janë 40 shkollat. Sigurisht, mund të kishim bërë ato të Astirit, por nuk do kishim bërë ato të Freskut dhe sot do kishim një diskutim. Fakti që ne kemi 40 lagje me shkolla dhe na kanë ngelur edhe loti i fundit do të thotë që në dy shkollat që bëjmë nga secila anë e autostradës, me shkollën që bëjmë tek Liqeni i Thatë, buzë një toke që ne kemi aty tek Kopshti Botanik, jashtë gardhit, me shkollën “Dritëro Agolli” që krijohet tek xhepi i parkut Olimpik ku sapo është hapur terreni dhe dy shkollat e fundmit që bëjmë në Sauk, njërën tek Spitali i Arabit dhe tjetrën tek parkingu i madh i Ish Policisë Ushtarake, sot Akademia e Policisë ne mbyllim përfundimisht këtë të shkollave. Ende pa bërë betimin, ne kemi hapur lotin e shkollave”, theksoi Veliaj.

Veliaj deklaroi se në kohën kur Bashkia e Tiranës drejohej nga Lulzim Basha, ishte planifikuar që shkolla “Kosova” të bëhej pallat.

“Shkolla Kosova ishte me dy turne sepse nuk ekzistonte shkolla Kosova. E bënte shkollën tek Liceu. Partia e këtij dhëndrit tonë dhe partia e Lulit e kishte bërë pallat shkollën Kosova. E mban mend sherrin për shkollën Kosova, e shpronësuam nga e para, e mban mend si u dogj shkolla Kosova. Kështu që patjetër ata ishin turni i dytë te Liceu se nuk ekzistonte fizikisht shkolla. Ishte nisur për pallat.
Shkolla ‘Sami Frashëri’ vajti te Çajupi me dy turne, derisa të mbaronte shkolla. Tani ka kaluar Samiu për herë të parë në gjitë historinë pas viteve 90, ka kaluar me një turn”, tha ai.

Kreu i Bashkisë së Tiranës solli dhe shembullin e Farkës ku PD bllokoi projektet zhvilluese për tre vite rresht. Veliaj nënvizoi se në kohën e PD jo vetëm që nuk pati urbanizim, por nuk u la asnjë hapësirë për të ndërtuar shkollë.

“Tek Astiri u vonuam tre vjet. Tani, shumë dakord që unë të jap llogari. Astiri deri sa ta merrnim ne këtë detyrë menaxhohej nga PD se ka qenë komuna Kashar. Aty s’ka pasur as ujë, por sot nuk thotë më njeri sepse ndërtuam një tubacion të ri që vjen direkt nga Bovilla dedikuar tek Astiri. Astiri merrte ujë nga puset e Laknasit të Coca-Cola. E menaxhonte PD dhe ngaqë jepte vetëm pallate nuk ka lënë asnjë hapësirë aty për shkollë. Po shkojmë e po blejmë tokën sa frengu pulën dhe po përdorim edhe akset që hapen nga autostrada dhe Unaza. Kam unë një pyetje për këta zotërinjtë! Tre vjet që na bllokuat tek Astiri, mban njeri përgjegjësi se mund të kishim mbaruar atë dhe mund të ishte liruar hapësira për shkollë se në shumë raste, në të dy anët e Astirit, edhe nga ana e Yzberishtit, edhe nga ana e Lanës”, tha Veliaj.