Ermal Dredha vijon takimet me grupet e interesit dhe qytetarët ku u takua me artistët dhe krijuesit e qytetit të Vlorës duke dëgjuar shqetësimet e tyre dhe mendimet që ata kishin në lidhje me veprimtaritë artistike të qytetit.
Dredha gjatë takimit e vendosi theksin tek krijimi i një kalendari me evente kulturore dhe artistike që do të kontribuojë dhe për zgjatjen e turizmit në 12 muaj të vitit që është një objektiv gjatë mandatit të tij në Bashkinë e Vlorës.
“Kemi synim që turizmin ta bëjmë jo vetëm 3 apo 4 muaj por objektiv është që ta çojmë në 12 muaj, por që të krijohet kjo lloj filozofie, përveçse punës që duhet të bëjë administrata e bashkisë, duhet të bëjmë dhe një axhendë eventesh kulturore artistike.” – u shpreh Dredha.
Ermal Dredha u shpreh gjithashtu se duhet të krijohen dhe panaire që janë të lidhura me kulturën, me historinë, me qëlli promovimin e vlerave që Vlora dhe zona përreth ka. Kandidati i PS në Vlorë gjithashtu u shpreh se Bashkia do të mbështesë financiarisht artistët përmes projekteve me qëllim arritjen e objektivit.
“Bashkia do të jetë e fokusuar që të krijojë më shumë hapësira duke përfshirë dhe mbështetjen financiare, me qëllim që ne ti promovojmë këto vlera.”-tha ai. “Nëse ka evente kulturore në qytet, jam i bindur që edhe orientimi i gjithë turizmit që ne duam të kemi në vitet e ardhshme është i lidhur ngushtë me këto faktorë.” u shpreh kandidati i Partisë Socialiste për Vlorën.
Gjatë mandatit të tij në Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha synon zgjatjen e periudhës së turizmit që aktualisht në Vlorë përqëndrohet gjatë stinës së Verës.