Bletaria është një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë, e cila ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm në vitet e fundit.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), prej vitit 2009, ka mbështetur vazhdimisht këtë sektor, përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes, por edhe programit IPARD.
Sot numërojmë rreth 400,000 zgjoje bletësh në të gjithë vendin, ku vetëm në 10 vitet e fundit numri i zgjojve është rritur me 64%, duke ndikuar ndjeshëm në nivelin e prodhimit.
Në vitin 2022, në sajë të Skemës Kombëtare të Mbështetjes, u financuan 2,681 bletarë, ndërsa përmes programit IPARD është investuar në linja përpunimi, ambalazhimi, si edhe magazina për ruajtjen e produkteve, duke synuar përveç tregut vendas edhe atë të jashtëm.
Autoritet e linjës shprehin bindjen se mbështetja e këtij sektori përtej efektit pozitiv që ka në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e performancës ekonomike të tij, ka një efekt më të rëndësishëm dhe strategjik në performancën ekonomike të të gjithë sektorit bujqësor në vend.