Partizani është kampioni i Superligës për sezonin 2022-23. Djemtë e Colellës zbresin nga froni Tiranën, duke i “marrë kurorën” bardhebluve. Gjithçka u vendos në javën e fundit të kampionatit, me Partizanin që fitoi 2-0 me Teutën në “Arenën e Demave” dhe siguron titullin numër 17 në histori.
Epilogu i sezonit ka qenë i zjarrtë, me Partizanin dhe Tiranën që kryesonin me pikë të barabarta para kësaj jave. Në fund të 90 minutave, të kuqtë janë treguar më të saktë duke siguruar trofeun në kompleksin e tyre, të inauguruar po këtë sezon. Sa i takon Evropës, Tirana, Egnatia dhe Vllaznia do luajnë në Conference League. Kastrioti dhe Bylisi sezonin e ri do luajnë në Kategorinë e Parë, ndërsa Erzeni do përballet me Korabin në “play-off” për një biletë me vlerë Superlige sezonin e ri.