Policia Kufitare e Vlorës, në vijim të kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë detare ka intensifikuar kontrollet ndaj mjeteve lundruese në tokë si dhe në det, por edhe ndaj mjeteve lundruese turistike.
Policia ushtroi kontroll në sektorët: Triport – Kepi i Gjuhëzës, Shën Jan – Shën Vasil, brenda gjirit të Vlorës, ku janë kontrolluar 12 mjete lundrimi për peshkim, 28 mjete lundrimi për argëtim, si dhe 19 mjete lundrimi turistike.
Policia Kufitare ndëshkoi me masë administrative 10 000 lekë drejtuesin e një mjeti lundrues gomone e vogël (shtetas kosovar), pasi gjatë verifikimeve ka rezultuar se kishte mungesë të dokumentacionit, si dhe kishte udhëtuar me mjetin lundrues gomone me motorr 8 KF, në Karaburun, duke rrezikuar jetën e personave në bord.
Po në vijim të këtyre kontrolleve, është bllokuar një mjet lundrues argëtimi, pasi përdoruesi i tij nuk dispononte dokumentacionin përkatës.
Kontrollet do të intensifikohen më shumë në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë detare dhe në këtë kuadër Policia Kufitare e Vlorës kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e përdoruesve të mjeteve lundruese, për zbatimin e ligjshmërisë nga ana e tyre.
Gjithashtu, Policia Kufitare siguron se është e vendosur në zbatimin me korrektësi të ligjit dhe ndëshkimin shkelësve të ligjit, përdorues të mjeteve lundruese.