Dikur një qytezë e harruar, Librazhdi sot është kthyer në një tjetër pasqyrë të Rilindjes Urbane. Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri prezantuan kandidatin socialist Mariglen Disha, që me mbështetjen e qeverisë për Librazhdin do të çojë përpara projektet dhe për 4 vitet e ardhshme.

“Më vjen mirë që jemi këtu sot për të prezantuar kandidatin tonë Mariglen Dishën, djalin tuaj, shembullin e mirë të qytetarit që kudo që shkon, në çdo punë që ka bërë kokën e ka pasur pas nga Librazhdi. Ja ku erdhi dita të vijë këtu, të kontribuojë për qytetin e tij duke e çuar në një stad më të lartë zhvillimi. Marigleni ka gjetur një pritje të mirë te njerëzit e thjeshtë sepse ai ju ka shërbyer ndër vite dhe ju e dini se çfarë di të bëjë ai. Ai vërtet punon pak por punon shumë. Ne e zgjodhëm për punën nuk e zgjodhëm për fjalë. Për fjalë kemi ata të tjerët ne, ne na duhen njerëzit e punës”, tha Gjiknuri.

Duke komentuar kandidatin përballë, Gjiknuri tha se Iliri dhe Saliu ricikluan të njëjtin emër që ka qenë dhe më herët në Librazhd dhe ka treguar se nuk ka punuar. “Përballë ne kemi një kundërshtar që ju e njihni, një ish kryetar bashkie që s’ka lënë asnjë gjurmë në Librazhd, njësoj si ato fosilet e Tiranës që ricikluan vetveten, martesa e re Berisha – Meta. Ilir Floriri me Sali non gratën futën dorën në koshin e historisë dhe nxorën të njëjtin njeri që kishin, atë që kanë pasur përherë. Qytetarët e Librazhdit e kanë shumë të qartë, vota për kundërshtarin është votë për të kaluarën. Le që këtu s’do marrin votë fare këta njëherë, këtu nuk duhet të marrin asnjë votë sepse ato punë që s’kanë bërë flasin vetë. Zbrastia e tyre flet vetë për modelin të cilin ata i paraqesin njerëzve. Prandaj them vota është e sigurtë në 14 maj për Mariglenin edhe për zhvillimin. Qytetarët do të japin një votë masive, një fitore fantastike, jo thjesht për Mariglenin dhe Partinë Socialiste, por me emrin e Mariglenit dhe të Partisë Socialiste është i lidhur zhvillimi i Librazhdit”, deklaroi ai.
Ai nënvizoi se rruga e 14 majit është rruga përpara për pensione më të mira, për rroga më të larta, për mirëqenie më të madhe. “Në 14 maj populli i Librazhdit, i gjithë populli shqiptar, ka mundësi të japë dhe mesazhe për përkrahjen e politikave të kryeministrit Rama që unë i uroj mirëseardhjen këtu, i shpreh mirënjohjen dhe respektin e këtij populli të mrekullueshëm sepse me politikat e tij zhvillimore tashmë ne po bëjmë të mundur të rrisim pagat për administratën shtetërore. Të rrisim pagat mesatare, të rrisim pagën minimale. Natyrshëm rritja e pagave në administratën shtetërore do të rrisë dhe pagat në sektorin privat. Ne do të kemi punonjës më të mirëpaguar. Së fundi me 14 maj do të japim dhe mesazhin për pensionistët. Rritja e pagave do të rrisë kontributin për sigurimet shoqërore dhe fondin e pensioneve. Kjo do të sjellë automatikisht dhe një rritje të pensioneve dhe vëmendje më të madhe për pensionistët”, shtoi më tej Gjiknuri.
Numri dy I socialistëve u shpreh se Mariglen Disha bashkë me mbështetjen e qeverisë dhe të kryeministrit Rama do të çojë përpara investimet për Librazhdin. “Le ta çimentojmë këtë marrëdhënie. Atyre s’u vjen mirë, normal që s’u vjen mirë se nuk kanë projekte dhe e dinë shumë mirë që një bashkiak i atyre fosileve nuk ka çfrarë të bëjë këtu, pa përkrahjen e qeverisë shqiptare dhe duke shmangur ato politikat e bunkerizimit siç e bëjnë ata sa herë marrin ndonjë bashki, dhe unë jam i bindur që kësaj radhe asnjë bashki s’do të marrin. Le të çimentojmë këtë marrëdhënie. Librazhdi do të ketë mbështetjen e qeverisë shqiptare për të gjitha investimet që patjetër Marigleni i ka shpalosur”, deklaroi drejtuesi politik I qarkut Elbasan, Damian Gjiknuri.
Më pas, u mbollën pemë të dhuruara nga Partia Socialiste, falë shkurtimit të shpenzimeve elektorale.