Kryeministri Edi Rama ndodhet në Mirditë ku po kërkon mbështetje për kryetarin aktual të Bashkisë që rikandidon në zgjedhjet e 14 majit, Ndrec Dodën.
Nga takimi me mbështetësit, Rama nuk e kursen ironinë për Albert Melyshin, kandidatin e dyshes Berisha-Meta, për të cilën thotë se mund të jetë djalë i mirë por gjunjët i ka copë.
“Ne nuk kemi ardhur këtu për të dhënë nuse por për të thënë që në 14 maj nuk po shkojmë në dasëm e s’po kërkojmë dhëndër por njeriun që do të marrim në punë për 4 vite, që do të vijojë të punojë për Mirditën.
Gjithçka e kisha dëgjuar por kur thotë kandidati jam djalë i mirë, më jepni votën, këtë se kisha dëgjuar. Unë nuk kam motër për të martuar, djalë i mirë të jetë por a është i zoti, a e tërheq karrocën, por mesa shoh unë i paska gjunjët copë. S’dua të merrem se nuk e njoh fare.
Të marrësh përsipër që t’i japësh fytyrën, emrin e zërin një gërdalle non grata dhe një tjetri që është i pakorrigjueshëm do të thotë të mos jesh mirë e të mos kesh mundësi të arsyetosh se çfarë është mirë e çfarë është keq. Shqipëria sot është në pikën më të lartë. Kurrë nuk është respektuar sa është respektuar sot”, tha Rama.