Kryeministri, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me grupin e këshilltarëve socialistë të zgjedhur në Vlorë, si forcë e parë politike e Këshillit Bashkiak.

Në fillim të fjalës së tij, Rama u shpreh se me këshillin bashkiak të mandatit të kaluar ndodhën disa fenomene absolutisht të papranueshme.

“Edhe pse kishim të gjithë këshillin si një forcë e vetme politike si rezultat i braktisjes së zgjedhjeve nga partitë e tjera jemi ndeshur me fenomene absolutisht të papranueshme të marrjes peng të këshillit, të mungesës së dialogut, pengesë për kontributin dhe mbështetjen me votë të programeve e vendimeve të këshillit e kështu me radhë. Mungesa e çdo force opozitare në këshill si në çdo organizëm tjetër sjell me vete edhe një ndjenjë vetëmjaftueshmërie te subjektet dhe individët e papjekur, por ne nuk mund të jemi pjesë e diçkaje të tillë dhe për fat të keq na kanë bërë pjesë”, tha Rama.

Kryeministri tha se një fenomen kaq i shëmtuar nuk duhet të jetë pjesë e asnjë momenti të këshillit të ri bashkiak të Vlorës dhe të asnjë këshilli bashkiak.

“Kjo kërkon që të krijohet një atmosferë pozitive debati, transparence, ndërveprimi dhe bashkëpunimi me kryetarët e bashkive. Më vjen shumë mirë që këshilli bashkiak i Vlorës është ripërtërirë plotësisht dhe nga eksperienca e kaluar kanë mbetur edhe njerëz që kanë qenë shembull edhe në të shkuarën për kontributin dhe pjekurinë e tyre, por që fatkeqësisht nuk kanë mundur të parandalojnë ato momente të shëmtuara sepse kanë qenë pak”, tha ai.

Kryeministri shprehu bindjen se anëtarët e rinj të këshillit bashkiak do i japin një fytyrë dhe seriozitet tjetër gjithë përpjekjes në këtë drejtim, që duhet të vazhdojë të shtrihet në gjithë organizmin e PS-së së Vlorës.

“Nevojitet reformim tërësor i PS Vlorë e cila duhet të bëhet një forcë gjithëpërfshirëse, krejtësisht e transformuar dhe e motivuar për të pranuar e mbështetur të gjithë njerëzit dinjitoz dhe mendje hapur që ka Vlora, që na votojnë por nuk e gjejnë veten te PS Vlorë pasi askush nuk ua hap derën”, shtoi ai.

Rama tha se nuk duhet të jetë Vlora e një grushti njerëzish që e përdorin flamurin e PS-së si një tufë me hithra duke ua bërë të tjerëve të vështirë kapërcimin e pragut.

“Në PS-në e Vlorës ka shumë kapital njerëzor me vlerë, por duhet pastruar nga shumë plehra e mbetje të së shkuarës në mentalitet. Kam njohur këtu të rinj që janë 740 vjeç nga mendja në kuptimin e një vizioni të ngushtë. Dhe pastaj rezultatet i shohim te hipoteka e Vlorës”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi nga anëtarët e këshillit bashkiak që të angazhohen me komunitetin në mënyrë që komuniteti i PS-së të bëhet më i madh.

“Është e vërtetë që Ermali mori 71% të votave, por duhet të jemi të palumtur me çfarëdo rezultati deri kur vlonjati i fundit të dalë të votojë. Duhet të bëhet një analizë shumë serioze e arsyeve pse me shfaqjet e ulëta të këshillit të kaluar nuk ua bëmë të gjithëve të lehtë që të vijnë të votojnë. Në Vlorë ne duhet të krahasohemi vetëm me ambicien tonë, me asnjë gjë tjetër”, tha ai.

Rama theksoi se në Vlorë duhet të shkojmë përtej partisë, gardheve, mureve e pengesave psikologjike sepse duhet të krijojmë një komunitet politik, jo thjesht një organizatë politike.

“Fitorja me 71% të votave i Ermalit ka brenda 2 elementë të tjerë të rëndësishëm, numrin e atyre që s’e kanë votuar ndonjëherë më parë kandidatin e PS-së, dhe ata që nuk kanë dalë fare të votojnë duke qenë djahtas dhe duke u ndjerë keq t’ua japin atyre votën”, tha ai.

Duke iu drejtuar kryetarit të bashkisë, Ermal Dredha, Rama tha se “të fitosh në Vlorë është e lehtë ndërsa të drejtosh është e vështirë”.

“Vlora duhet çuar para me çdo kusht dhe nuk është vetëm çështje investimesh por edhe shërbimesh e respekti për njerëzit. Duhet punë shumë e madhe duke filluar nga pastrimi i qytetit dhe vënia fre e ndërtimeve”, shtoi ai.