Zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, tha se dhuna në veri të Kosovës “ka ardhur nga të dyja palët”, duke iu referuar Kosovës dhe Serbisë.
Nga përleshjet mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it, të hënën në Zveçan, mbetën 35 ushtarë të plagosur, ashtu si edhe më shumë se 50 protestues.
“Eskalimin e shohim që nga e premtja, prandaj edhe [shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph] Borrell dhe vendet anëtare [të BE-së] e kanë dënuar dhunën dhe kanë ftuar për uljen e tensioneve. U kanë thënë të dyja palëve”, tha Stano për gazetarët në Bruksel.
“Kjo situatë nuk ka ardhur vetvetiu, por është pasojë e rrethanave dhe zhvillimeve, për të cilat janë përgjegjëse të dyja palët”, shtoi ai.
Në pyetjen e gazetarëve se a do të thotë kjo situatë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka dështuar, Stano tha: “Jo, dialogu vazhdon, përpjekjet madje janë shtuar dhe dialogu është më i rëndësishëm se kurrë”.