Elbasani ishte ndalesa e radhës e turit të falenderimit të kryeministrit Edi Rama pas fitores së thellë më 14 maj.
Në fjalën e tij, drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri u shpreh se fitorja në këtë qark ishte e pastër. “Unë së pari dua t’ju falenderoj në emër të ekipit politik të Partisë Socialiste për të gjithë kontributin e dhënë, për punën e bërë, të gjitha bashkitë e Qarkut të Elbasanit ku ne arritëm një rezultat fantastik 7 – 0. Pavarësisht se rezultati ka dhe ngjyrat e tij brenda, diku më mirë diku me më pak sforco, por e rëndësishme është që fitorja qe e pastër por dhe mesazhi duhet kuptuar”, tha ai.
Numri dy i socialistëve deklaroi se vota e 14 majit është edhe një moment reflektimi se çfarë mund të bëhet më mirë për përmirësimin e jetës së qytetarëve. “Ju e mbani mend fushatën tonë, teksa thonim që vërtet jemi më të mirët, kemi bërë shumë gjëra, por kemi edhe gjëra për të reflektuar. Për të reflektuar shumë në mënyrën sesi e administrojmë pushtetin por dhe si Parti se çfarë duhet të bëjmë më mirë.Ku ka më mirë sesa fushata dhe zgjedhjet ku ti të marrësh mesazhet e nevojshme nga qytetarët për t’u vetëkorigjuar, për të bërë më të mirën. Sepse një organizatë qëndron gjatë jo thjesht se është e madhe, se çdo gjë e madhe mund ti vijë koha dhe të tkurret, por kur ajo adoptohet me atë ç’ka kërkon koha. Partia Socialiste ka ditur ta bëjë mirë këtë dhe këtu ka një meritë të madhe Edi Rama. Ka dy karakteristika, është dhe luftëtar por është dhe artist është kreativ. Pra ka dhe vendosmëri por është dhe kreativ për të kuptuar çfarë është e nevojshme dhe pas çdo fushate do të dijë të nxjerrë konkluzionet e duhura dhe të marrë mesazhet e duhura”, shtoi Gjiknuri.
Sekretar i Përgjithshëm i PS siguroi se përpara janë shumë punë për t’u bërë. “Unë dhe njëherë s’dua ta zgjas, por dua të falenderoj dhe njëherë të gjithë kryetarët e bashkive këtu që secili me punën e tij dhe me ekipet e tyre politike bënë maksimumin e tyre. Natyrshëm edhe këta kanë konkluzione për të nxjerrë. Dhe unë bashkë me ta si drejtues politik do të nxjerr konkluzionet për t’i bërë gjërat edhe më mirë. Dhe dua t’ju them dhe njëherë ju jemi borxhlinj për rezultatin. Kemi shumë gjëra për të bërë së bashku, kemi shumë nevojë për të ndryshuar. Realisht dhe një falenderim i veçantë për atë që e thashë që në fillim, sidomos për bashkinë e Elbasanit: i hoqëm njollën Elbasanit që ja patën vënë me të padrejtë”, tha Gjiknuri.