Erion Veliaj, që është edhe kreu i PS për qarkun Tiranë, ka bërë një deklaratë të fortë nga Kavaja, ku ka zhvilluar një takim elektoral.
“Ata vërtetë tallen Lali Fiku, Altini Hudhrave, Edi Peshkut, por është nder për ne kjo lloj etikete. Është më mirë të na etiketojnë me punë se sa me vese. Nuk thotë njeri, siç thonë për ata, Zeni Gërdecit, Saliu i Piramidave dhe 21 janarit dhe Ilir Meta i 7 përqindëshit edhe i floririt. Këta, o vëlla, janë lidhur me Rusinë. Këta janë lidhur me ata që shkojnë mbrapsht. Ne e provuam me forcat tona, 45 vjet, duke i bërë luftë Amerikës. Amerikës sot nuk i bëhet luftë. Ne e provuam o shokë 45 vite, luftë me Amerikën, sherr me gjithë botën e civilizuar. Ne po themi shyqyr që jemi hapur me botën, shyqyr që kemi mundësi të udhëtojmë, shyqyr që tani kanë mundësi që dhe produktet tona të shkojnë kudo. Nuk kemi asnjë kohë për të humbur”, tha Veliaj. Gjatë takimit me fermerët në Kavajë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se teksa kundërshtarët politikë i duan Bashkitë për të bërë luftë me qeverinë, Partia Socialiste i do Bashkitë për të bashkëpunuar sa më shumë me qeverinë dhe për të bërë punë të mira që e çojnë vendin vetëm përpara.
“Sot jemi në një situatë ku Frida [Krifca] po fliste për sa më shumë punë mund të bëjmë përpara. Ndërkohë, pala tjetër thotë sa më shumë bllokime do kemi. Ne duam që të na dyfishohen investimet e qeverisë. Ne jemi 2 herë mirënjohës për dyfishimin që kishim, por duam nga Frida edhe 2 herë më shumë. Ndaj, ne nuk kemi luftë me qeverinë, ne e kemi bashkëpunim me qeverinë dhe ndaj duam që të shkojmë vetëm përpara. Ne nuk duam që të jemi njerëz që mbushin autobusët për protesta, ne nuk kemi sherr me qeverinë. Për mua është një kënaqësi e jashtëzakonshme që Redi dhe Edi, kur marrin në telefon Fridën, Frida iu kap telefonin dhe iu investon projektet për kanalet, për ujitjen, për vaditjen, për subvencionimin, për ato që janë agroturizma, për ata që financojnë rrënjët, për ata që financojnë produktin. Kjo më intereson, nuk na intereson dikush që ministrja jo vetëm nuk e njeh, por ai ka qëllim që të rrëzojë qeverinë. Ne na duhet një qeveri e fortë që të na ndihmojë 2 herë më shumë seç na ka ndihmuar sot. Kjo është diferenca”, tha Veliaj.
Për koalicionin e dyshes Berisha-Meta, Veliaj tha se njëri është non-grata, ndërsa tjetri ‘fuksi i lagjes’, që kanë vetëm hallet e tyre dhe nuk kanë asnjë interes të çojnë vendin përpara. Ai tha se Berishën e kanë braktisur edhe demokratët, ashtu siç bënë në stadium.
“Si do na ndihmojë një që është “non grata”? Kishte thënë diçka të bukur Dritan Shano, ka qenë i djathtë gjithë kohën, por duhet t’ia japim meritën: “Edhe Enver Hoxha s’ishte non grata!”. Pra dhe diktatori më i zi që ka pasur Shqipëria, nuk ishte “non grata”. Domethënë, Amerika ka arritur në konkluzionin se rrezik më i madh për Shqipërinë është Saliu, se të gjithë problematikët që kemi pasur. A e kuptoni sa e rëndë është kjo? Saliu nuk kalon dot Rinasin. Është shumë e rëndësishme që ne të ecim vetëm përpara. Saliu është mall skerco. E di që janë hapur këto pikat e grumbullimit, por s’ka pikë grumbullimi që grumbullon Saliun. E patë pikën e grumbullimit? Vajti në stadium, i foli robi 2 orë karrigeve bosh. 22 mijë, është si të dalë njëri prej jush t’u flasë specave në serë. Është si të dalësh në një fushë me grurë dhe t’i bësh leksion grurit. Doli burri 80-vjeç edhe i bënte leksion 20 mijë karrigeve bosh. E di pse e zbrazën? Sepse edhe demokratët më të flaktë, edhe ata të Kavajës, që kishin ardhur me autobus, vajtën dhe panë stadiumin dhe deri dje u kishte thënë që ky është “stadiumi i krimit”, ky është “stadiumi i mafies”, ky është “stadiumi i Ndragheta-s”, ky është stadiumi i komisar Katanit, ky është stadiumi i Cosa Nostra-s. Çfarë nuk kishin dëgjuar demokratët. Kur vajtën aty bënë fotografi, selfie të gjithë, edhe kur e panë, Saliu e ktheu pllakën, tha: “Ky është “stadiumi i lirisë”, ky është “stadiumi i demokracisë”, ky është “stadiumi i fitores”. Pasi i rrejti dhe demokratët u sollën me dinjitet, e lanë tek pullë vetëm në stadium për t’i dhënë një mësim, që ti nuk na gënjën dot më, ti nuk tallesh dot me ne, ti nuk na përdor dot mish për top, se ne do ecim vetëm përpara”, tha Veliaj.