Kryeministri Edi Rama është ndalur në Elbasan në kuadër të turit falenderues për besimin që i dhanë qytetarët me 14 Maj. Gjatë fjalës së tij, Rama nuk kurseu ironinë me opozitën teksa tha se gjatë fushatës premtonin fitore të madhe por pas zgjedhjeve filluan të flasin për vjedhje të votave.
“Duhen mirëkuptuar edhe kundërshtarët tanë, të cilët deri në momentin e fundit, i keni parë janë të krekosur, premtojnë fitore të mëdha, triumfe të mëdha, rrëzime të mëdha të të gjithë shumicës tonë dhe papritur të nesërmen në mëngjes gdhihen si të tronditur nga një makth dhe fillojnë e flasin për dhunë, grabitje dhe vjedhje sepse ata nuk e dinë, nuk e kanë idenë se çfarë rrjeti kapitali njerëzor, zemrash dhe mendjesh i shtrirë në të gjithë territorin e Shqipërisë është PS.
S’e dinë se çfarë skuadre e jashtëzakonshme është PS, ashtu sikundër nuk duan ta shikojnë atë që unë besoj me 14 maj e panë edhe shumë njerëz që nuk kanë votuar ndonjëherë për ne, të cilët e kanë pozicionuar veten djathtas për një mijë e një arsye.
Por e panë se vota e 14 majit ishte një vote ku duhej vendosur me mendje dhe jo me zemër.”, tha Rama.