Ky që shihni është Petro Beleri, i ati i Fredi Belerit.

Atë e gjejmë në Himarë teksa bën thirrje për drejtësi për djalin e tij. I moshuari shprehet se i biri është i pafajshëm dhe se nuk ka pasur as mundësi financiare për të blerë vota.

“Unë jam Petro Beleri, Petro Nesho Beleri, nga Himara, kam punuar 29 vjet në kooperativë, kam miqtë e dynjasë, kam qenë çoban në Kurvelesh, kur kam martuar djalin kanë qenë mbi 15 veta nga Kurveleshi në dasëm të Fredit”, u shpreh i ati Fredi Belerit, Petro Beleri.

“Unë dua drejtësi, djali im nuk ka bërë asnjë gjë, djali im është me qira, kam një shtëpi të kooperativës, as hotel kam as dyqan kam, asgjë kam. As para kemi që të blejmë vota. Dua drejtësi dhe të më vijë djali në shtëpi”, tha për Inside Story Petro Beleri.

Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare, Dhionisios Alfred Beleri ka në pronësi që prej vitit 2018 një biznes hotelerie i quajtur Militiko.

Ndërkohë ai është pronar edhe i një koktejl-bari në shëtitoren e Himarës të quajtur Acta. Në vitin 2019, para prokurorëve Beleri do të deklaronte se kishte në pronësi një restorant në Himarë i quajtur Igunia, të cilin e menaxhonte vetë.

Pra Beleri ka investuar në hoteleri-turizëm dhe nuk mund të themi se është një person pa të ardhura. Po ashtu, bizneset dhe pronat e Belerit tregojnë se teza e ngritur që pasuritë e minoritarëve mbahen peng nuk duket fort e mbështetur në prova.

Dihet se proçesi i regjistrimit të pronave ka ecur në të njëjtën mënyrë si për shqiptarët ashtu për minoritarët, me të njëjtin standard. Pra, nëse në zona të caktuara mund të ketë probleme me regjistrimet, ato nuk janë probleme që njohin etni, pavarësisht tezës që shpesh përforcohet nga faktori minoritar.