I njohur si një destinacion pushimesh i adhuruar nga europianët dhe britanikët, Dubrovniku në Kroaci me aplikimin e një rregulli të ri, ka shokuar ata që kishin planifikuar të kalonin verën në këtë qytete bregdetar.

Këshilli bashkiak ka vendosur të ndalojë turistët që të përdorin valixhet e tyre me rrota teksa kalojnë në zemër të qytetit të vjetër, si pjesë e një lëvizje për të ndalur zhurmat në qytet.

Kryebashkiaku Mato Frankoviç nisi një betejë kundër ndotjes akustike pasi vendasit u ankuan për zhurmën e bezdisshme që krijohet nga turistët të cilët tërheqin zvarrë valixhet nëpër qytet natën vonë.

Dhe nga nëntori, puna do të fillojë në një zonë të caktuar ku pushuesve do t’u kërkohet të lënë bagazhet e tyre përpara se të hyjnë në qytetin e vjetër. Ata do të duhet të paguajnë për stafin e kontraktuar nga bashkia që t’iu çojë valixhen në hotelin e tyre.

Në një artikull në gazetën kroate, Jutarnji List, kryebashkiaku Frankoviç tha:

“Ata do t’i lënë çantat e tyre në pikën e caktuar dhe ne, natyrisht, me pagesë do t’i dërgojmë bagazhet e tyre në adresën ku do të qëndrojnë.

Ky është vetëm fillimi, qëllimi përfundimtar është krijimi i një qendre logjistike brenda aeroportit, pas së cilës të gjitha bagazhet që do të kenë vizitorët e Dubrovnikut, do të transportohen direkt nga Ćilipo në adresat e tyre”.

Dubrovniku gjithashtu ka publikuar një video të shkurtër rreth atyre çka nuk lejohet të bësh teksa viziton qytetin.

Pushuesve u kujtohet që të mos i shëtisin kafshët shtëpiake pa zinxhir apo të mos ngjiten në monumente. Videoja po shfaqet në fluturimet dhe anijet turistike të ‘Croatian Airlines’ në një përpjekje për të edukuar turistët.