Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat tha se nuk do të diskutohet asnjë çështje me Serbinë veç lirimit të tre policëve.

Rama: Nuk kemi bërë asnjë lloj aktrimi në asnjë rast, kemi qenë shumë të qartë, edhe me Serbinë dhe pozicioni ynë ka pasur gjithmonë parasysh që ne për sa na takon të ndikojmë që çdo lloj kërcitje armësh sado e shkurtër të mbahet larg nga Ballkani. Patjetër që fakti që tre policë në këtë rast të Kosovës janë shqiptarë, të njëjtin qëndrim do të bëja edhe sikur të ishin serb që hipotetikisht mbahen peng, të cilët nuk kanë bërë asnjë krim.

Kjo ndikon në marrëdhëniet tona dhe tregon se Serbia duhet të angazhohet më seriozisht në marrëdhënie me ne, nuk është se janë tre policë shqiptarë, por janë tre njerëz që mbahen atje nga një shtet dhe mbulohet kjo, jo u arrestua ky, jo ai, nuk ka lidhje këto gjëra, një shtet demokratik, edhe sikur të jenë të vërteta për arrestimet që bëhen në Kosovë, nuk reagon një shtet duke bërë simetri. Shtet demokratik respekton të drejtat e njerëzve.

Jemi shumë aktiv në disa kanale, por ndërkohë që as nuk diskutohet që sa kohë ata janë atje marrëdhëniet tona janë pa asnjë gjë të re përkundrazi, janë vetëm për këtë punë s’kemi marrëdhënie për asgjë tjetër, uroj që lirimi i tyre të ndodhë sa më parë, çdo ditë është e dëmshme, për vetë Serbinë për rajonin, për këtë proces, asnjë lloj përfitimi nuk ka, duke mbajtur në burg tre policë për shkelje kufiri.

Pa u liruar ata të tre e kotë të diskutohen të tjera, nuk bëhet dot asgjë, unë nuk jam i ëmbël me Albinin, do të bëja njësoj të njëjtën gjë. Ne nuk do ndalojmë tregtinë asgjë, por s’ka marrëdhënie, s’ka komunikim, çdo komunikim në çdo nivel me Serbinë do të jetë lironi policët. Këto punët me kamionë i ka qejf Albini, unë nuk di t’i jap kamionit.