Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj ka prezantuar disa masa të ndërmarra nga qeveria për t’u ardhur në ndihmë eksportuesve të cilët preken nga rënia e euros përballë lekut. Ajo tha se deri në mars të vitit të ardhshëm eksportuesit nuk do të paguajnë tatim mbi fitimin dhe shtoi se këtë pagesë mund ta bëjnë vetëm nëse dalin me fitim pasi të bëjnë bilancin.
“Gjatë muajit të kaluar kemi pasur disa takime me shoqatën e eksportuesve ku janë diskutuar ndërhyrjet potenciale që mund të zbatohen për t’u ardhur në ndihmë. Ajo që ka ndodhur është që ato biznese që punojnë me kontrata porositëse, tani gjenden në situatën ku shpenzimet i kanë në lekë dhe të ardhurat në euro. Një nga masat që do merret është shtyrja e afatit të kësteve të tatimit mbi fitimin deri në mars të vitit të ardhshëm kur bizneset mbyllin bilancet. Subjektet që janë eksportues dhe ekportojnë mbi 70% të nuk do parapaguajnë këstet e tatim fitimit deri në mars kur do të bëjnë bilancin”- tha Ibrahimaj.
Ajo tha se do të ketë edhe një ruimbursim të TVSH-së për eksportuesit, një detyrim ligjor që do të përmbushet brenda një afati 30 ditor.
“Kjo vjen si mbështetje për mungesën e likuiditetit që bizneset kanë në treg pas forcimit të lekut. Masat e tjera, rimbursimi i TVSH, detyrim ligjor që për kategorinë e eksportuesve të jepet një afati 30 ditor”- shtoi ministrja.Ibrahimaj shtoi se forcimi i lekut përballë euros ka ardhur si rezultat i zhvillimit ekonomik të vendit dhe të numrit më të lartë të turistëve vit pas viti. Një prej masave të ndërmarra do të jetë rimbursimi i gazit për kompani të sektorit prodhues në Shqipëri.