Tre persona janë arrestuar pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin sillnin në Shqipëri dokumente të falsifikuara të shtetësive të huaja dhe i shisnin.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, bazuar në informacionet se këta tre shtetas kryenin këtë veprimtari kriminale, kanë referuar materialet në Prokurori dhe si rezultat është arrestuar M. H., 35 vjeç, Sh. H., 52 vjeç, dhe I. H., 34 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Policia ka lokalizuar 35-vjeçarin në Kamzë dhe gjatë kontrollit të dokumenteve i gjetën një patentë italiane të falsifikuar.

Nga hetimet rezulton se Sh. H., dhe I. H., siguronin dokumentet e falsifikuara jashtë vendit, dhe më pas ja sillnin 35-vjeçarit, kundrejt pagesës. Ky i fundit gjente klientë dhe i shiste në Shqipëri.

Sipas policisë, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Njoftimi i policisë: “Tiranë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Watermark”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë. Vihen në pranga 3 shtetas të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin dhe sillnin në Shqipëri dokumente të shtetësive të huaja, të falsifikuara. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, bazuar në inteligjencën informative se disa shtetas merreshin me falsifikime dokumentesh, kanë referuar materialet në Prokurori e cila ka regjistruar procedimin penal. Si rezultat i hetimeve proaktive të kryera në funksion të këtij procedimi penal është dokumentuar me prova ligjore kjo veprimtari kriminale dhe është finalizuar operacioni policor i koduar “Watermark”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve: – M. H., 35 vjeç, Sh. H., 52 vjeç, dhe I. H., 34 vjeç, të tre banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin M. H., në Kamzë, dhe gjatë kontrollit të dokumenteve i gjetën një dokument (patentë italiane) të dyshuar të falsifikuar. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit Sh. H., dhe I. H., siguronin dokumentet e falsifikuara jashtë vendit, dhe më pas ja sillnin shtetasit M. H., kundrejt pagesës, dhe ky i fundit gjente klientë dhe i shiste në Shqipëri. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”