Nga Abit Hoxha/
Prishtina nuk ka tanke. Por ka tankistë.
Tankistët apo të ashtuquajturit «tankies» ishin të majtit ekstremë evropianë që gjatë Luftës së Ftohët, përkrahnin intervenimet e Bashkimit Sovjetik në vendet satelite që shtypnin iniciativat për largim nga Blloku Lindor.
Këto shtypje, zakonisht ndodhnin me tankse. Intervenimi i Bashkimit Sovjetik në Hungari në vitin 1956 që shtypi me gjak Revolucionin dhe solli tanket Sovjetike në Budapest, u përkrah nga komunistët evropianë duke pasur njohuri të mjaftueshme për abuzime nga Bashkimi Sovjetik. Njëjtë ndodhi edhe me Kryengritjen e Pranverës në Pragë në vitin 1968, ku Bashkimi Sovjetik shtypi me tankse rininë çekosllovake.
Përkrahja e komunistëve evropianë ishte pothuajse e verbër. Ideologjia staliniste kishte të drejtë të shtyp kundër-revolucionin imperialist sipas tyre. Tankistët europianë sot përkrahin intervenimin e Rusisë në Ukrainë duke e fajësuar Ukrainën për ambicjen e saj për anëtarësim në NATO.
Ky grup u quajt tankist për të simbolizuar dashurinë e verbër të tyre për tanksin shtypës sovjetik që simbolizonte tiraninë staliniste. Medoemos, këta tankistë «luftonin» nga kolltukët e Parisit dhe Berlinit duke pirë shampanjë dhe kritikuar imperializmin perëndimor dhe sistemin kapitalist.
Pa pasur shumë mungesë të portokajve që ishin artikuj ekskluziv në Republikën Demokratike të Gjermanisë apo nevojë për pritje në rreshtin e gjatë të bukës në Shqipëri, komunizmi kishte kuptim si ideologji e barazisë ideologjike të të gjithë popujve. Por kjo barazi duhej të arrihej në kurrizin të tjerëve dhe tankistët nuk lëshonin frontin me shampanjë në dorë. Më vonë, tankistët u quajtën edhe «socialistë të shampanjës».
Tankistët në Prishtinë përkrahin vendosjen e rendit dhe ligjit me forcën e tankseve në veriun e vendit dhe përkrahja demokratike vendore nuk ka shumë rëndësi për ta. Në Prishtinë, tankistët sillen sikurse të jenë tankistë të divizionit të motorizuar të tankseve të Kosovës.
Prishtina nuk ka tanke. Por ka tankistë. Nuk ka shampanjë por ka raki shtëpie që nxeh fytin e tankistëve me tastiera në duar që kërkojnë intervenimin në veri me çdo kusht duke u ngritë zërin se «është mbushur kupa» dhe nuk mund të durojmë më.
Tankistët, me tastierë janë përkrahësit tipikë të intervenimit në veriun e Kosovës ku tentimi për instalimin e kryetarëve të komunave interpreton ngushtësisht ligjin – që praktikisht ka të drejtë për instalimin e kryetarëve të komunave por nuk ka moral të vendosjes së kryetarëve shqiptarë në komuna të banuara me shumicë të komunitetit serb, dhe me një grusht vota.
Kryeministri ju beson tankistëve sepse tankistët sjellin mobilizimin për politika që interpretojnë ngushtësisht kornizën ligjore në Kosovë. Por, tankistët nuk dëshirojnë këto masa ligjore për pjesën e Kosovës me shumicë shqiptare. Ta zëmë, në Prishtinë ka mjaft vetura të paregjistruara dhe gjithashtu ka në Drenicë dhe Dukagjin. Veturat e paregjistruara nuk ka rëndësi se ku janë të regjistruara (ta zëmë në Serbi apo në Zvicër), dhe zonja Drejtësi, nëse mban sytë mbyllur me shami kur ndanë drejtësinë, këtë fakt nuk e njeh sepse nuk ekziston.
Çka tankistët dëshirojnë është politika e të fortëve. Karakteristikë e autoritarizmit dhe abuzimit me demokraci. Me demokraci abuzohet edhe në mënyrë të ligjshme.
Çka tankistët gjithmonë dëshirojnë është fortifikimi i demokracisë që me mjete ligjore- mbron demokracinë dhe duke e përdorur ligjin si instrument të vrazhdë, limiton vet të drejtat e njeriut. Për shembull, limitimi i të drejtës së shprehjes në Gjermani duke e shpallur ilegale bartjen e simboleve naziste është limitim demokratik i të drejtave të njeriut. Njihet në shkencat juridike dhe politike si demokraci militante apo demokraci e fortifikuar. Përveç se në këtë rast, në Gjermani i shërben një qëllimi të mirë. Ndërsa në Kosovë, dëgjimi i tankistëve që më së paku miratojnë intervenimin në veri me tanke virtuale është dobësim i demokracisë në mungesë të fortifikimit të demokracisë.
Përkrahja e tankistëve në rastin e Kosovës vjen nga brenda Kosovës dhe jashtë. Sidomos nga jashtë vjen nga «socialistët e Aperolit» dhe është pothuajse e verbër.
Ideologjia e imponimit nga shteti ligjor që i faturohet dëmtimit të demokracisë është e rrezikshme dhe i shkon për shtati më së shumti sovjetikëve- a.k.a agjendës ruse për një konflikt të ri në Ballkan.
Për këtë, ka plot dëshmi duke përfshirë mijëra postime të automatizuara në Tëittër vitin e kaluar në intervenimin e Kosovës në veri që erdhën të dyshuara nga India dhe Afrika.
Prishtina nuk ka tankse por ka tankistë me tastiera kompjuteri që luftojnë deri në ndalimin e rrymës apo derisa i merr gjumi në krevatin e butë. Apo, sipas ideologjisë, nuk punojnë pas orës 3 pasdite.
Tankistët dëshirojnë «marrjen e veriut» gjoja se veriu i vendit tonë qenka diku tjetër. Mendojnë se shkelja e kufirit është shkelje e sovranitetit. Dëshirojnë përdorimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri. Dëshirojnë shtrëngim masash. Por shqiptarët e Kosovës, nuk duhet të bijën në karthën e Presidentit Serb Vuçiç për të bërë gabimet që serbët i bënë përgjatë viteve të 1990-ta.
Abit Hoxha është asistent profesor në Universitetin e Agderit. Qëndrimet janë personale.