Nga Kamelisa Selami/

Do të ishte komplet ndryshe këndvështrimi im nga larg, nga mospjesëmarrja në aktivizëm nëse nuk do isha pjesë e një aktiviteti modest politik mbi mënyrën sesi zhvillohet politikisht Tirana dhe sesi reagon rinia ndaj rritjes së saj.

Një pyetje do të ishte, si do të dukej ndryshe? Do të ishte ndoshta më indiferent, do të ishte ndoshta më kritik por i pa analizuar, do të kishte prirjen të shihte zhvillimin si më të lehtë nga sa është i vështirë realisht.

Sfida në thelb, edhe të flasim hapur për këtë është që t’i ndryshojmë mendimin këtij kryeqyteti, t’i ndryshojmë gjuhën, t’i ndryshojmë qasjen dhe peshë për këtë ka shumë rinia, një rini që ka ide në të njëjtën kohë dhe pjesëmarrjen.

Tirana ka disa kohë që ka ndryshuar mendim në vetvete. Tirana është aktivizuar në formë kapilare në çdo aspekt. Edhe nëse nuk është zhvilluar ka ndërtuar dialog me çdo fushë.

Ka prekur multikulturën, ka prekur komunitetet, ka prekur shërbimet, ka ndryshuar ngjyrën e kryeqytetit, ka ridimensionuar ndërtesat që kishin dalë jashtëfunksionit, ka guxuar duke sfiduar nostalgjinë e cila të mbërthen me një hije pas, është hapur drejt periferisë qoftë me një pemë të mbjellë, qoftë me një shëtitje biçiklete që vjen si rezultat i një stimulimi, ka sjellë padyshim më shumë mundësi ekonomike dhe ka hapësira për iniciativa nga çdo moshë.

Për një pjesë jo të vogël të disa gjërave është pyetur rinia. Me të dëgjuar e kam, ama historia e bibliotekave ka një lloj story të vogël. Kur kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj kandidoi për herë të parë në 2015 tregojnë se u ul me disa të rinj që ndihmonin një fushatë online dhe aty gjatë bisedës merr sugjerim nga një djalë që studionte mjekësi.

“Një ide e mirë mund të jenë bibliotekat e reja!” -i tha studenti Erionit. “Përse lexojnë, ka dëshirë për lexim?” -pyeti disi habitur Erioni. Edhe njëzëri tavolina dha argumenta se ka nevojë të shihet transformimi i bibliotekave si hapësira që i japin një mendim Tiranës.

Pra dje vetë Kryetari Bashkisë Tiranë mendonte se volitja me njerëzit mund të ishte një qasje, ndërsa sot 8 vite më vonë Erioni mendon ndryshe kur jo më pak se disa javë më parë në një takim tha se (perifrazoj) :
“Ne duhet të marrim dhe vendime që jo detyrimisht i përgjigjen mendimit të njerëzve, ne jemi këtu t’i udhëheqim ata, ne jemi këtu për t’i drejtuar.”

Ne na duhet një Tiranë që di, më shumë se një Tiranë që ka.

Sfida i mbetet rinisë, i mbetet vetë asaj për të ndërtuar urën e re me idetë. Shumë prej nesh menduan dhe ndryshe, disa iu bashkuan edhe ndonjë lëvizje të re të majtë, që prej kohësh artikulon kauza që dhe ne në organizatën tonë i kemi artikuluar prej kohësh por në formë dhe mënyrë tjetër duke përshtatur qasjen tonë në raport me progresin brenda sistemit dhe jo me qasje jashtë sistemit.

Realiteti duhet lexuar edhe kjo nuk duhet marrë si një dhënie vëmendje, por si një mësim me reflektim kundrejt nesh për të artikuluar idenë politike, për ta kthyer Tiranën në një llampë të madhe ideje e cila mendon përtej formës dhe me demostrim drejt përmbajtjes. Nëse fitorja lexohet me reflektim, lexohet me përgjegjësi do të japë jo për pak shembuj të fortë të një Tirane e cila do të ruaj gjithmonë të renë, do të ruaj më tepër rininë.

Edhe të flasim hapur, kemi ende punë ,ndoshta sapo ka filluar ajo që realisht presim.