Kjo është mini-nëndetësja e zhdukur në oqeanin Atlantik. Ajo ishte reklamuar para pak muajsh nga pronari i kompanisë OceanGate, Stockton Rush.

Ekipet e kërkimit janë në garë me kohën për të gjetur nëndetësen e turistëve, e cila u zhduk gjatë një zhytjeje drejt pjesëve të anijes së fundosur, Titanik. Pesë persona ishin në bordin e nëndetëses kur ajo humbi kontaktin rreth një orë e 45 minuta pas zhytjes.

Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar gjatë natës në mes të Oqeanit Atlantik, por deri më tani ekipet nuk kanë hasur në nëndetësen.

Në mesin e personave që gjenden në këtë nëndetëse është miliarderi dhe eksploruesi britanik, Hamish Harding. Në bord të nëndetëses janë edhe biznesmeni pakistanez, Shahzad Dawood, dhe djali i tij Sulemani. Me këtë nëndetëse po ashtu besohet po udhëtonte edhe eksploruesi francez, Paul-Henry Nargeolet. Raportohet se edhe shefi ekzekutiv i OceanGate – kompania që ka organizuar këtë zhytje – është në bordin e nëndetëses.

Avionë ushtarakë dhe nëndetëse sonare janë përfshirë në kërkimin e nëndetëses. Nëndetësja e zhdukur komunikon me një anije mbi sipërfaqen e ujit përmes teksteve të shkurtra.

Por, komunikimi përmes GPS dhe sistemeve të radios nuk është i mundur. Personat që gjenden brenda nëndetëses nuk mund të dalin vetë nga ajo, sepse ata janë të mbyllur brenda me bulona që vendosen nga jashtë.