Arbitri i basketbollit të Kosovës Daut Mehmeti dhe trajneri Arbnor Rifati, të cilët akuzohen për manipulim rezultatesh, janë arrestuar nga policia. Pas skandalit për shit-blerjen e ndeshjeve, të shtunën policia e Kosovës sipas mediave atje ka kaluar në aksion duke vendosur në pranga të dy këta figura të volejbollit.

Fillimisht gjyqtari Mehmeti është përjashtuar përjetësisht nga FIBA dhe më pas nga federata e Basketbollit të Kosovës, ndërsa tani së bashku me Rifatin janë prangosur nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike në Prizren. Akuza penale e ngritur ndaj tyre është ‘kurdisje e ndeshjes ose sportit’, ndërsa citohen edhe aktiviteti i Ligës Unike, event i përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“I dyshuari i parë (arbitër me licencë ndërkombëtare), dyshohet të ketë kurdisur ndeshje basketboll në kuadër të Super ligës së Kosovës, Ligës Unike Kombëtare dhe Ligës Ballkanike, veprimet i ka kryer në bashkëveprim me të dyshuarin e dytë (trajner basketbolli). Të dyshuarit i kanë kryer këto veprime me qëllim të përfitimit material. Po ashtu, i dyshuari i parë, ka bashkëvepruar edhe me arbitër dhe trajner ndërkombëtar në kurdisjen e lojërave të basketbollit, me qëllim të fitimit të basteve”, thuhet në njoftimin e policisë. Të dyshuarve pas marrjes në pyetje me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, u është komunikuar masa e ndalimit prej 48 orëve.