Albin Kurti, njëjtë si Vjosa Osmani, të premten kërkoi që Bashkimi Evropian t’i largojë sa më shpejt që është e mundur masat ndëshkuese ndaj Kosovës, meqë Kosova uli prezencën e Policisë së Kosovës për 25 për qind në dhe pranë ndërtesave komunale në Veri duke plotësuar kështu njërën prej kërkesave të Unionit për de-eskalim të situatës në Veri.

Megjithatë ky vendim i ekzekutivit kosovar, në këtë fazë, nuk është i mjaftueshëm për largimin e masave ndëshkuese të cilët u morën si vendim pas refuzimit të Qeverisë së Kosovës për të shtensionuar situatën në këtë pjesë të vendit sipas kërkesave të BE-së.

Një zyrtar i BE-së i tha Radio Evropës së Lirë, javë më parë, se heqja e masave ndëshkuese që Unioni i ka vendosur Kosovës do të varte nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Kosova dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në Veri.

“Masat ndaj Kosovës nuk ishin vendosur aq lehtë, ato janë të kthyeshme dhe nuk do të zgjasin asnjë ditë më shumë se sa duhet. Por, për tërheqjen e tyre duhet dëshmi se Kosova po i ndërmerr të gjitha hapat që janë kërkuar nga ajo dhe për shkak të së cilave edhe ishin vendosur këto masa”, shkroi REL duke u thirrur në burime diplomatike brenda BE-së.

Se ulja e prezencës për 25 për qind të Policisë së Kosovës në dhe pranë ndërtesave komunale në Veri si hap i parë për të de-përshkallëzuar situatën në këtë pjesë të vendit ishte e pamjaftueshëm edhe për të deleguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

“Bashkimi Evropian ka një plan të qartë me tre pika që nuk nënkupton largimin e prezencës së forcave speciale të policisë në Veri dhe pranë ndërtesave komunale, dhe ulja prej 25 për qind është një hap drejt kësaj, por qartësisht që nuk përmbush kërkesat e Unionit”, tha diplomati gjerman në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, RTS.

Në të njëjtën linjë të mendimit sikur Sarrazin ishte edhe senatori amerikan, Chris Murphy, i cili është njëri ndër hartuesit kryesorë të politikave amerikane rreth Ballkanit Perëndimor, si në administratën e Donald Trump ashtu edhe në atë të Joe Biden.

Megjithatë ndryshe nga Sarrazin, Murphy, përmendi edhe një hap tjetër që duhet të ndërmarrë Kosova – lirimin e serbëve të arrestuar nga institucionet relevante.

“Është e qartë se është e nevojshme të zhvillohen zgjedhje të reja në Veri të Kosovës. Gjithashtu duhet të tërhiqen edhe forcat speciale të policisë të dërguara nga Kosova në këtë pjesë të vendit. Gjithashtu, të lirohen personat e arrestuar, por edhe Serbia të inkurajojë serbët që të marrin pjesë në zgjedhje dhe në të njëjtën kohë të përmbahen nga ndërhyrjet ilegale. Pra, nëse kemi tërheqjen e policisë speciale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, mendoj se ka potencial që dialogu të ecë në një drejtim pozitiv”, tha Murphy në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Përveç Kurtit e Osmanit, largimin e masave ndëshkuese kërkoi edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

Bislimi pas takimit që pati me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, të mërkurën e 19 korrikut, i habitur u shpreh për çështjen e masave ndëshkuese të vendosura Kosovës nga BE-ja, pasi sipas tij, Kosova i ka plotësuar kërkesat e Unionit për shtensionimin e situatës në Veri, ndërsa kjo e fundit nuk po bënë asnjë hap për të larguar masat.

Bislimi ndonëse pranoi se Kosova ende nuk ka zbatuar të gjitha kërkesat e BE-së për shtensionimin e situatës në Veri të Kosovës, por të paktën ka treguar gatishmëri për të bërë një gjë të tillë.

Prandaj mbi këtë premisë ai kërkoi angazhim më të madh nga ana e Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell në këtë drejtim.

“Në Bratisllavë kemi dakorduar një marrëveshje që quhet ‘Aranzhime mes Kosovës dhe BE-së për implementimin e qëndrimit të 27 vende anëtare të BE-së’ të datës 3 qershor. Rrjedhimisht titulli i asaj marrëveshje tregon se dakordimi ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së, dhe i përgjigjet këtyre kërkesave të BE-së”, potencoi ai.

“Për ne ka qenë e qartë se kjo është rruga për tërheqjen e masave të BE-së që janë vendosur ndaj Kosovës, dhe për ne është habi se edhe tetë ditë pas dakordimit ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e Borrell që të kërkojë largimin e masave nga Komisioni Evropian”.

Ndryshe më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja kanë arritur pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në Veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.