Kampioni i Evropës në karate, Alvin Karaqi ka qenë i ftuari i radhës në podcastin ‘Flasim’ të kryeministrit Edi Rama. Në këtë podcast Karaqi ka folur për sfidat dhe arritjet e tij në sport, në një disiplinë shumë të vështirë siç është ajo e karatesë.
Në episodin e fundit të sezonit të parë të podkastit ‘Flasim’, Alvin Karaqi shqiptari nga Kosova, ka ndarë përjetimet dhe emocionet që e përshkuan, teksa shkroi historinë dhe mori medaljen e parë të artë për Shqipërinë në Kampionatin Evropian të karatesë që u zhvillua në Poloni.
E teksa tregoi vështirësitë dhe sfidat me të cilat është përballur gjatë rrugëtimit të tij në karrierë, Karaqi i ka dhënë një mesazh të gjithë sportistëve të rinj.
“Po të thoja vetëm fjalën ‘’Mos u dorëzoni’’ do të jetë klisheja e gjithë sportistëve që e thonë një fjalë goje dhe përfundon me kaq. Mirëpo, ta marrin karrierën time si shembull, për ti motivuar fëmijët është karrierë pak ndryshe sepse kam qenë dhe student i mjekësisë dhe kam pasur ato obligimet e mia, por mirëpo që jam bërë kamion, kryesor ka qenë fati, por nuk ka qenë fati në garë, por ka qenë fati që kam pasur një familje shumë mbështetëse. Mbështetje jo vetëm financiare sepse nuk kemi qenë të pasur. Babi ka marrë kredi për të më çuar në garë, ka marrë borxhe për të më çuar në garë. Unë nuk kërkoj atë prej prindërve të tjerë, po mbështetje shpirtërore, mbështetje në humbje, në fitore, mbështetje edhe atëherë kur garuesi, atleti, një djalë i ri, një artist i ri është në momentin më të lig të tij, edhe psikik. Edhe këto pres dhe i motivoj shumë prindërit që të mundohen të kuptojnë fëmijën në çdo fazë të jetës. Prindërit e mi e kanë ditur intelektualisht se në çfarë pike psikike jam, nuk besoj se e kanë ditur por kanë qenë në kohën e duhur, në momentin e duhur dhe kanë qenë mbështetësit e mi kryesor”, tha Karaqi.
Një pjesë shumë e rëndësishme për kampionin e karatesë është edhe mbështetja e personave të cilët kanë besuar dhe besojnë në talentine tij. Duke filluar nga trajneri, i cili nuk është dorëzuar kurrë, së luftuari për të nxjerrë në dritë emrin e tij.
“Fatin e lidh edhe me trajnerët. Nuk kanë hequr dorë nga unë, nuk i kanë ndjekur vetëm ata që kanë fituar para meje. Kanë parë që unë jam punëtor, kam luftuar edhe e kam dashur këtë sport dhe kam dashur të mbërrij edhe e kanë respektuar këtë dëshirë e këtë pasion dhe kanë thënë hajde dhe ti me ne. Kështu që unë ja lë rezultatin tim përpos punës, ja lë këtij fati. Në fund të fundit, uroj që fatin ta shkruajnë prindërit dhe garuesit vetë, dhe trajnerët vetë. Shumë i inkurajoj ata që ti mbështesim këto talente se i kemi dhe për të luftuar për të mirën e tyre edhe kur ata janë në pikën më të dobët. Edhe për sportistët, për artistët ata duhet ta duan atë që duan, dhe kur duhet. Kemi Luizën, më keni mua, medaljen më të madhe të karrierës sime e mora 30 vjeç dhe e mora si mjek në vitin e 4 të specializimit kur askush nuk e pa me nënçmim që e zgjat karrierën e tij profesionale në sport. Deri në atë moshë, apo paralelisht me atë profesion. Gjithçka është e mundur, me shumë, shumë fat, po fatin duhet ta shkruash vetë dhe duhet të kesh ekipin e duhur”, tha Karaqi.
Sa i përket familjes ai u shpreh se, familja e tij e ka mbështetur gjithmonë dhe e ka shoqëruar kudo.
“Nëna ende pa u nisur për garë fillon të qajë kështu që nëna është nënë, një kohë sa kishte mundësi ajo më ka përcjellë dhe në gara jo vetëm virtualisht, por edhe në person. Mirëpo jam unë në fakt jam munduar, sa më i rritur që u bëra, sa më shumë u bë konkurrenca më e madhe se një herë fitoret nuk ishin si një herë të përditshme sepse dhe konkurrenca është më e fortë, atëherë nuk kisha qejf ti shikoja prindërit aty, duke më parë duke humbur, duke më parë mua duke qarë sepse për ta dhimbja është e dyfishte. Kështu po gëzohem që ata të jenë vetëm pjesë e rezultateve të mira”, u shpreh Karaqi.
Tutje, Karaqi tha se pasioni i hershëm për karatenë, i lindi shumë spontanisht, ndonëse babi i tij kishte dashur që ta shikonte në basketboll.
“Po, kam pasur kusht nga prindi, mua më vendosën në karate, që ishte qejfi im, por qejfi i babait ishte të shkoja në basketboll, kështu që vendosën të më regjistronin në të gjitha klubet në sporte të ndryshme, unë vendosa të shkoja në karate dhe kur e panë që kisha qejf të merrja pjesë në gara, ata nuk e kishin shumë qejf sportin me kontakt dhe thanë se, nëqoftëse nuk i kam të gjitha 5-a në shkollë, nuk mund t vazhdoja sportin kështu që ai ishte kusht”, tha Karaqi.