Udhëkryq për të ardhmen e Armando Brojës. Sulmuesi shqiptar mbetet ende në dyshim se ku do luaj sezonin e ardhshëm, me Chelsea që duket se nuk e ka në planet e saj. Trajneri Mauricio Pochettino e la jashtë listës së të grumbulluarve për miqësoret në tokën amerikane, kjo e ndikuar edhe nga zërat e merkatos.

Por pavarësisht kësaj situate, 21-vjeçari synon të qëndrojë në “Stamford Bridge” për të luftuar për një vend si titullar. Broja do të konkurrojë me blerjet e merkatos së verës, Christopher Nkunku dhe Nicolas Jackson për rolin e qendërsulmuesit te Chelsea në sezonin e ri.

Sulmuesi shqiptar vjen pas një sezoni të kaluar në infermieri për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju. Interes për lojtarin kuqezi ka pasur nga skuadra tjetër londineze, West Ham, që kërkon të mbajë ritmin e sezonit të shkuar, ku ia doli të triumfojë në UEFA Conference League.

Minutat e shumta në këmbë do e rikthenin Brojën një alternativë edhe për kombëtaren shqiptare që ka dy teste tepër të rëndësishme në shtator, kualifikueset e Euro2024 ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë.