Thomas Waitz, deputet austriak i parlamentit europian komentoi situatën në Veri të Kosovës.

Në një intervistë për emisionin “Balkan Talks” në Euronews Albania, ai tha se e konsideron gabim politik përpjekjen e autoriteteve të Kosovës për tu liruar rrugën e kryetarëve të zgjedhur drejt zyrave të tyre.

“Ishte vazhdim i zhvillimeve që kemi parë muajin apo vitet e fundit tashmë. Ishte përpjekja e autoriteteve të Kosovës për tu liruar rrugën e kryetarëve të zgjedhur drejt zyrave të tyre. Fatkeqësisht, unë e quaj këtë një gabim politik.

Komuniteti Ndërkombëtar nuk u njoftua për atë që do ndodhte. Komuniteti serb protestoi kundër dhe për fat të keq, të paktën në këndvështrimin tim, këto protesta të para paqësore u shfrytëzuan nga ish-ushtarakët serbë, të ardhur nga Serbia, dhe ishin të dhunshme kundër ushtarëve të KFOR-it; pati ndërhyrje masive dhe shumë ushtarë u lënduan. Kemi pasur prerje këmbësh, sulme shumë brutale ndaj ushtarëve të KFOR-it, cka solli shumë zhvillime politike”- tha ai.