Rreth 3491 bimë kanabis janë zbuluar nga kontrollet e policisë të ushtruara në disa fshatra të thella në Shkodër. Bimët e gjetura u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa kultivuesit e tyre nuk dihen ende.

Në kuadër të fazës së shtatë të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, policia ka zbuluar me anë të dronëve 6 raste të kultivimit të bimëve narkotike.

Në kuadër të kësaj faze, u asgjësuan në total 3491 bimë narkotike cannabis sativa, prej të cilëve: 304 bimë në Pult dhe Theth, Shkodër; 1021 bimë në fshatin Rrapsh, Malësi e Madhe; 2166 bimë në fshatrat Shllak dhe Temal, Vau i Dejës.

Në operacion u përfshinë 100 forca policore të Komisariateve të Policisë Shkodër, Vau i Dejës dhe Malësi e Madhe, si dhe 6 dronë.

Megaoperacioni policor antikanabis “Alpe të pastra”, vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.