Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka insistuar se mocioni i mosbesimit i propozuar nga partia të cilën ai e drejton është e vetmja rrugë përmes së cilës mund të rrëzohet Qeveria aktuale i drejtuar nga kryeministri, Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka potencuar se numri i atyre që besojnë që Kurti dhe qeveria e tij janë fatkeqësi për Kosovën është shtuar.

”Sot është shtuar numri i atyre që besojnë që Kurti dhe qeveria e tij janë fatkeqësi për Kosovën. Një shumicë kritike pajtohet se është e nevojshme që sa më parë të dilet nga kjo gjendje. Njëra parti kërkon zgjedhje për të ndalur këtë të keqe që po i bëhet vendit, ndërsa partia tjetër është në kërkim të një rruge të re, po ashtu për të dalur nga kjo gjendje.

Ne si Aleancë kemi ofruar një model se si të dilet nga situata e krijuar, që është mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë, si mjet mbase tash për tash i vetmi, për ta ndalur degradimin e mëtejshëm që po i bëhet vendit.

Në fakt edhe njëra edhe tjetra parti opozitare, po e kërkojnë të njëjtën gjë që e kemi kërkuar edhe ne, por nuk po e shohin mënyrën se si realizohet kjo!
Pyetja ime është, si shkohet në zgjedhje, ose si gjendet rruga e tretë për të dalë nga kjo gjendje?

A ta presim kryeministrin që ta dorëzojë me vullnet mandatin e tij, gjë e cila duket e pamundshme, apo të presim të ndodhë ndonjë mrekulli vetvetiu?

Prandaj partitë tjera opozitare, nëse janë të sinqerta në qëndrimin e tyre se kjo qeveri duhet ndalur me çdo kusht sepse po e shkatërron vendin, atëherë duhet ta kuptojnë se mocioni i propozuar prej nesh, është rruga e vetme, rrjedhimisht edhe ta mbështesin”, shkruan Haradinaj.