“Hotelet në Durrës e kanë rritur shumë cilësinë, kanë filluar të konkurrojnë edhe Turqinë, si për pjesën e ushqimit, ashtu edhe për pjesën e shërbimit”.

Kështu u shpreh operatori turistik Blerim Norja, në “A2 Business”, duke folur për turizmin në qytetin e Durrësit.

“Ofrojmë maksimumin te kjo pjesë dhe besoj se do të vijojë të rritet cilësia, duke e bërë Shqipërinë edhe më të dëshiruar”, deklaroi më tej Norja.

Në lidhje me nisjen e sezonit turistik, ai nënvizoi se “ndryshe nga vitet e tjera, në muajt maj dhe qershor ka pasur mungesë të turistëve vendas dhe nga diaspora, por është shtuar kërkesa nga turistë të huaj, sidomos nga polakët dhe çekët”.

Në lidhje me problematikat, sipas tij kryesorja është se “punonjësit e shikojnë si punë sezonale”.

“Nuk shikohet si profesion për të ardhmen, duhet edhe një ndërhyrje nga strukturat shtetërore që të aplikojnë subvencione për periudhën jashtë sezonit, që punonjësit ta shikojnë veten të lidhur gjatë gjithë vitit me këtë profesion”, shprehet Norja.

Edhe sipas Fatos Çerenishtit, nënkryetar i Unionit Turistik,“strukturat hoteliere shqiptare janë në gjendje tashmë të presin çdo lloj turisti”.

“Sigurisht që turizmi ka problematikat e veta, duke nisur nga punësimi në strukturat hoteliere. Është një problem që e kemi zgjidhur vetë pak a shumë, duke mbajtur një bërthamë punonjësish edhe gjatë dimrit, ku pothuajse nuk kemi punë fare. Pjesa që na rëndon më shumë si hotelierë është pjesa e punësimit, ende nuk po gjejmë zgjidhje”, thekson Çerenishti.

Gjithsesi, sipas tij, “hotelierët e kanë kuptuar tani se çfarë kërkon një turist evropian”.

“Jemi të gatshëm të presim çfarëdolloj standardi. Duhet të ketë edhe zona turistike elitare, në mënyrë që të vijnë turistët elitarë. Duhet marina dhe gjëra të tjera që të argëtohen, por hotelierët e kanë kuptuar se cili është standardi i shërbimit. Kemi hotele bashkëkohore, shërbim që po ngrihet dhe plazh të mrekullueshëm”, u shpreh Çerenishti.

Ndërsa Brunilda Liçaj, eksperte e turizmit, mendon se problematikat e Durrësit janë të tjera: “Durrësi ka probleme me qarkullimin rrugor dhe ka mungesë aktivitetesh. Durrësi nuk është vetëm 3 resorte. Mospërgatitja e stafit në shumë raste lë për të dëshiruar. Personalisht, mendoj që është më mirë të kemi një turizëm jo masiv, më të kufizuar, pasi dhe qyteti ka limitet e veta. Është e rëndësishme që ata që vijnë, të shpenzojnë. Besoj se Durrësi, për 2-3 vite, me ndryshimet në qytet, do të bëjë që turistët të kënaqen, jo vetëm ata që qëndrojnë në bregdet”.

Ndërkohë, Elio Jani, nënkryetar i Bashkisë së Durrësit, theksoi: “Kemi marrë masa që në maj për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Besoj se këtë vit do të kemi më shumë turistë sesa vjet, edhe pse ishte sezon i mirë ai i vjetshmi. Besoj se do ta kalojmë 1 milion turistë. Me Policinë Bashkiake dhe atë të Shtetit po bashkëpunojmë për të lehtësuar qarkullimin rrugor. Ne po bëjmë maksimumin për të rregulluar problematikën, por edhe njerëzit duhet ta kuptojnë që jo çdo lëvizje duhet bërë me makinë. Për 3-4 vite nuk do të vijë elita e turizmit botëror, por do të ketë ndryshim”.