Botuesi i gazetës TemA, Mero Baze, thotë ne nje interviste per ABC News me gazetaren Juli Kristafi, se refuzimi i Albin Kurtit për të takuar Edi Ramën në Prishtinë buron nga fakti se Albin Kurti nuk e duron dot Edi Ramën si përcjellës të mesazhit të Perëndimit. Ai e pranon Edi Ramën vetëm si ushtar kundër Perëndimit.

Baze thotë se Albin Kurti nga ithtar i Bashkimit Kombëtar, është katandisur në një idhtar të mosbashkëpunimit kombëtar. Ai thotë se Kurti gjithë urrejtjen me Shqipërinë e ka vetëm pse nuk e kanë votuar, por e kanë turpëruar duke i dhënë 300 vota me 2021, kur me delirin e udhëheqësit mbarëkombëtar erdhi të pushtonte Shqipërinë.

Lidhur me “Ballkanin e Hapur”, Baze thotë se ai është një proces tërësisht perëndimor dhe parimet e tij reflektohen tek Procesi i Berlinit. Mos vazhdimi i tij nga Shqipëria ka të bëjë me faktin se një prej aktorëve kryesorë të atij procesi, Aleksandër Vuçiq, i ka shkelur ato parime në Veri të Kosovës, ku bashkë me Albin Kurtin po përshkallëzojnë situatën drejt luftës.

Për këtë arsye Procesi i Berlinit është më imponues dhe më autoritar, por jo i ndryshëm nga “Ballkani i Hapur”.

Në komentin e tij për refuzimin e Albin Kurtit për të takuar Edi Ramën Baze tha:

“Kur Edi Rama e ftonte të takohej për Ballkanin e Hapur ai thoshte jo, mund të takohemi vetëm në kuadrin e Procesit të Berlinit, tani që e fton për Procesin e Berlinit thotë jo mund të takohemi vetëm në mbledhje të përbashkëta qeverie, që janë në fakt mekanizëm i Ballkanit të Hapur, pasi mbledhje qeverie Rama ka bërë dhe me Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Pra thjesht Albin Kurti nuk e duron dot Edi Ramën si përcjellës të mesazhit të Perëndimit. Ai e pranon Edi Ramën vetëm si ushtar kundër Perëndimit. Natyrisht nuk ka për ta pasur.

Edi Rama pas kësaj mund të shkojë në Kosovë, mund të takohet me presidenten Osmani, kryetarin e Kuvendit apo partitë politike. Por nuk është fundi i botës që nuk takon Albin Kurtin. Edhe ashtu nuk kanë ndonjë gjë për të sqaruar. Janë të qartë secili në punën e vet. Njëri me Perëndimin e tjetri kundër tij.

Ai do të shkojë në pesë shtete të rajonit. Do të takojë katër kryetar shtetesh sllavë. I vetmi kryeministër që ka refuzar ta presë është Albin Kurti.

Në raport me Shqipërinë ai po ashtu ka bërë një evoluim rrënjësor, që dëshmon imazhin e gënjeshtërt te tij.

Ai hyri në politikë si ithtar i Bashkimit Kombëtar, ndërsa tani është partizan i mos bashkëpunimit kombëtar.

Dhe gjithë urrejtjen me Shqipërinë e ka vetëm pse nuk e kanë votuar, por e kanë turpëruar duke i dhënë 300 vota me 2021, kur me delirin e udhëheqësit mbarëkombëtar erdhi të pushtonte Shqipërinë. Prej asaj dite Shqipëria për të është një vend më i urryer se Serbia. Shqipëria për të ka bërë krim që nuk ka pranuar për udhëheqës Albin Kurtin.

Nëse Kosova e lidh fatin e saj me Albin Kurtin dhe jo me Perëndimin, është vendim i saj. Ndonjëherë askënd nuk e shpëton dot nga vetvetja. Aq sa mund te shpëtosh një kamikaze”.

Në pyetjen se a pritet që Albin Kurti t’i japë fund kësaj politike, Baze tha:

“Problemi që ka Albin Kurti nuk është paqartësia , por qartësia për të përdorur konfliktin me Perëndimin për t’u bërë popullor si nacionalist në Kosovë. Ai në finale do t’i firmosë të gjitha me një çmim të rëndë për Kosovën, por kur të shkojë tek kutia e votimit do që t’u thotë shqiptarëve jam viktimë e SHBA dhe BE. Kaq është gjithë marrëzia e tij. Është një populist egocentrist, nga ata që është gati të djegë Kosovën për karrigen e tij”.

Në fund Baze komentoi dhe rreth procesit të Ballkanit të Hapur. Ai tha se “parimet e Ballkanit të Hapur janë universale dhe nuk janë thjesht një destinacion ku mbërrin. Ai eshte një proces që vazhdon. Katër parimet e Ballkanit të Hapur, lëvizja e lirë, tregu i punës, tregu i përbashkët ekonomik, dhe digjitalizimi janë po ashtu katër parimet bazë të Procesit Berlinit.

Ballkani i Hapur eksploroi mundësitë që ekzistonin në Ballkan me njeri- tjetrin për ta bërë më të lehtë Procesin e Berlinit. Nga ky eksplorim u kostatua se dy shtete nuk ishin gati, Kosova dhe Bosnja, dhe kuptohet problemet që ato kanë.

Ndryshimi i vetëm i Ballkanit të Hapur nga Procesi i Berlinit është se Ballkani i Hapur nuk i detyron shtetet të veprojnë të gjitha njësoj. Dikush që dëshiron e bën, dikush jo. Procesi i Berlinit është detyrues për të gjithë”.

Po a ishte Kosova dhe mungesa e saj në të, që i dha fund Ballkanit të Hapur?

“Jo, nuk i dha fund Kosova. Kosova nuk hyri fare në atë proces. Mendoj se Ballkani i Hapur u bë i padobishëm kur Serbia hyri në konflikt me Kosovën dhe nuk mund të vazhdohej më, që një prej pjesëtarëve të Ballkanit të Hapur t’i luteshe të respektonte parimet e Ballkanit të Hapur.

Por Ballkani i Hapur është një mekanizëm vetrregullimi, që në çdo kohë mund t’i rikthehesh si një rruge, që nuk të çon në luftë. Procesi i Berlinit e përfshin atë brenda vetes, por me një diktat evropian. Siç e duan ballkanasit.

Mendoj që kur Procesi i Berlinit të përfundojë, nëse përfundon, ne do të gjendemi në objektivat e Ballkanit të Hapur, do të mund të jemi më komunikues me njëri- tjetrin, më bashkëpunues dhe në një treg më të unifikuar. Natyrisht nëse Serbia e Vuciqit dhe Kosova e Albinit nuk na kthejnë 20 vjet mbrapa në luftë.

Ndaj është nevoja që tani e tutje këtë proces ta drejtojë Berlini. Ai ka më shumë autoritet dhe më shumë fuqi për të ndalur luftën e re në Ballkan dhe për të na çuar tek një qeveri më evropiane në Kosovë dhe Serbi”.

ABC NEWS