Lezha me bregdetin e ndërthurur me lagunën Kune-Vain, memorialin e Skënderbeut dhe kalanë është kthyer ndër destinacionet më të kërkuara të kësaj vere.

Përveç atyre vendas dhe nga Kosova, që natyrisht zënë numrin më të lartë të turistëve, bien në sy të huajt e shumtë që zgjedhin Lezhën dhe resurset e saj për t’i vizituar.

Të ardhur nga Gjermania, Franca, Austria e me gjerë, ata përveç bukurive natyrore vlerësojnë fort edhe kulinarinë e pasur.

“Ne jemi nga Gjermania, plazhet janë shumë të bukura, njerëzit po ashtu miqësor.

“Peshku këtu është shumë i mirë, unë vij nga Austria.”

“Na pëlqen plazhi, ushqimi, moti shumë i mirë, jemi në Shqipëri për një javë.”

Por përveç produkteve të freskëta të detit, turistët vendas dhe të huaj, preferojnë edhe agroturizmet, që së fundmi janë shtuar në Lezhë duke zhvilluar kështu edhe turizmin vjetor.

Sidomos bizneset në Zadrimë po tërheqin interesin e turistëve përmes produkteve bio të zonës te ‘Mrizi i Zanave’.

“Ne jemi nga Gjermania, produktet këtu janë te freskëta dhe shumë të shijshme.”

“Jam nga Roma, kemi ardhur mbrëmë këtu, është shumë bukur. I kam shijuar shumë perimet vendase.”

Me përmirësimin e kushteve akomoduese, por edhe ofrimin e çmimeve tejet konkurruese duket se bizneset në Lezhë kanë gjetur çelësin e suksesit për tërheqjen e turistëve dhe promovimin e vendit tonë edhe jashtë kufijve.