Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Dropull, Dhimitraq Toli ka inspektuar punimet në shkollën e Mesme të Bashkuar në Bularat, e cila po i nënshtrohet një rikonstruksioni me një financim të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, znj. Kushi u shpreh se shkolla pritet të jetë e përfunduar në muajin shtator ku do të mirëpresë 100 nxënës dhe 15 mësues.

“Së bashku me Kryetarin e Bashkisë Dropull, z. Dhimitraq Toli, inspektuam punimet që po bëhen në Shkollën e Mesme të Bashkuar në Bularat , e cila po rikonstruktohet me financim të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit duke ruajtur edhe elementet dhe traditën arkitekturore të zonës.

Shkolla do të jetë gati këtë shtator për të mirëpritur 100 nxënësit dhe 15 mësuesit e saj në hapësirat e reja me standarde bashkëkohore, por njëkohësisht do të shërbejë edhe si qendër komunitare për të gjithë banorët e zonës”, – shkruan Kushi.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka treguar një vëmendje të veçantë dhe kujdes të shtuar edhe ndaj zonave me pakica minoritare në vendin tonë, siç është Bularati, me qëllim që nxënësit e kësaj zone të kenë të gjitha standardet gjithëpërfshirëse të mësimnxënies.