Një sherr për rrugën midis dy familjeve, familjes Nikolli dhe familjes Kaçi në Hamallaj të Durrësit, u raportua paraditen e sotme.

Të dyja palët e përfshira në konflikt mësohet të jenë kushërinj me njëri tjetrin. Midis burrave të familjes Nikolla që dhunuan familjen Kaçi shfaqej Martin Nikolli, punonjës i Gardës së Republikës.

Siç mësohet, Martin Nikolli ka filluar punë në Gardën e Republikës në korrik të vitit 2006, me detyrën shofer në zyrën për shërbimet e delegacioneve. Në këtë detyrë është rekrutuar asokohe nga Ndrea Prendi, Komandanti i përgjithshëm i gardës, i njohur për publikun si drejtuesi i grupit të zjarrit që qëlloi me armë zjarri në 21 janar 2011, duke lënë 4 protestues të vrarë.

Më pas, në nëntor të vitit 2007 është emëruar shoqërues / shofer për Presidentin e Republikës Bamir Topi, detyrë që e ka kryer deri në vitin 2012. Në periudhën 2012-2017 ka punuar si shofer në struktura shërbimi në gardë.

Më tutje, prej vitit 2017 deri në vitin 2021 ka shërbyer si Truprojë dhe shofer për zëvendës Kryeministrin.

Së fundmi, prej shtatorit 2021 mbante detyrën e shoferit rezervë për Kryetarin e Kuvendit, por pa qenë asnjë ditë shoferi i makinës së Lindita Nikollës përgjatë aktivitetit të saj të përditshëm si kryeparlamentare.