Rreth gjysmë miliardi Euro vlerësohet dëmi që do të pësojë Kosova nga masat e ndërmarra nga Bashkimi Europian si ndëshkim për mungesën e hapave nga Qeveria Kurti për shtensionimin e situatës në veri. Kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini vlerëson se dëmet më të mëdha do t’i vuajnë bizneset dhe qytetarët e Kosovës.

Shahini: Këto masa janë ndëshkuese kundër Qeverisë por që do t’i vuajë edhe qytetari e biznesi. Nga masat e MSA-së dhe nga konferencat tregtare që ka Kosova ose që do të ndalen fondet nga IPA, këto janë masa që do t’i ndiejmë nëse do të vazhdojë deri në fund të vitit secili nga ne, sidomos bizneset e prodhuesit eksportues dhe dëmi mund të jetë mbi 500 milionë Euro dhe kjo ndoshta është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës në këtë situatë.

Krahas dëmeve direkte në Ekonomi, pasojat do të ndihen edhe në sistemin e Drejtësisë, pasi Bashkimi Evropian konsiderohet si donatori kryesor në këtë sektor.

Ardian Bajraktari – Avokat: Në këtë drejtim, natyrisht që paralajmërimet e tilla janë një sinjal tepër dëshpërues për vendin e për rrugën në të cilën ne si shtet synojmë ta arrijnë në strukturat euroatlantike, mirëpo po shpresoj se më në fund do të jetë një moment reflektimi nga ana e institucioneve tona.

Biznesi në Kosovë vlerëson se ndër veprimet më të gabuara nga ana e Qeverisë së Kosovës që kanë sjellë situatën aktuale janë vendimi për targat dhe zhvillimi i zgjedhjeve pa praninë e serbëve.