Mero Baze, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka analizuar figurat kryesore politike të Shqipërisë.

Për Ilir Metën, Baze tha se është një nga politikanët më luftarakë, që ka bërë beteja shumë të forta dhe që është më i vërtetë se Sali Berisha, por e pëkufizoi si një person bipolar dhe që gjithmonë ka vuajtur nga ideja se PS nuk e pranoi asnjëherë.

Baze deklaroi se Meta gjithmonë e ka parë Sali Berishën si të ardhmen e tij politike dhe ka vepruar i diktuar nga ideja se si të marrë pjesë të së majtës për t’i çuar tek e djathta.

Baze tregoi edhe një histori nga zgjedhjet e vitit 2009, ku ishte takuar me Metën para se ai të bënte koalicion me Berishën dhe më pas Meta e përdori tëkimin për ti dhënë sinjale Berishës se “nderi”, pra koalicioni, kishte një çmim.

Ylli Rakipi: Ilir Meta, një njeri shumë i fortë dhe shumë i paqartë. Si e shpjegoni ju Ilir Metën?

Mero Baze: Në raport me Sali Berishën, Ilir Meta është një politikan më i vërtetë, më i vërtetë brenda vetes, nuk i ka këto auto-sugjestionet e Berishës, nuk shpik realitete të cilat nuk ekzistojnë. Kur vepron, kur bën llogari dhe hidhet në betejë, i llogarit faktorët ashtu siç janë.

Ilir Meta, kam frikë se ka një problem shëndetësor, është bipolar, në sjellje. Kjo është një sëmundje që duhet të kurohet.

E njoh shumë mirë nga afër, e njoh shumë mirë si mik, si kundërshtar, e njoh si armik, në të gjithë pozicionet. Ilir Meta është një nga politikanët që po të tregoi një ngjarje, e tregon më mirë se të tjerët, ta tregon me detaje, nuk e ka fantazinë e të gënjyerit, e të bërit të ngjarjes si të duhet ty.

Ilir Meta ka aftësi të forta organizative, që nuk i ka Sali Berisha, siç i ka Ilir Meta. Është edhe njeri betejash, që ka bërë beteja shumë të forta për të mbijetuar. Këto beteja natyrisht e kanë bërë edhe pis, e kanë keqpërdorur, e kanë vënë në pozita të vështira psiqike përballë shoqërisë shqiptare.

Është një politikan fatkeq, që vuan ndjenjën që nuk e përfilli kurrë partia e madhe ku hyri, nuk u bë kurrë partia e tij, Partia Socialiste dhe iu desh të mbijetonte në politikë duke shkëputur një copë prej saj, duke krijuar një fraksion politik, për t’ja çuar të djathtës.

Nga pikëpamja politike, Ilir Meta është një renegat i së majtës shqiptare, jo se ka këputur një copë dhe ka ikur, sepse ajo është burrëri që ka bërë, sepse ka bërë betejë për atë çështje. Meta e ka kuptuar që nuk është kurrë e vetja Partia Socialiste, kurrë nuk e kanë gëlltitur dhe pranuar.

Qysh në fillimet e tij, kur ishte në krye të forumit rinor, ai në mendjen e vetë, në objektivin e vetë afatgjatë, bëri aleancë me Sali Berishën. Ishte njeri i dorëzuar te Sali Berisha qysh në opozitën e parë të viteve 90’. Jemi dëshmitarë, se si ai edhe nëpërmjet nesh, bashkëpunonte me Sali Berishën. Ishte i bindur që e ardhmja e tij politike ishte Sali Berisha.

Meta pati një moment reflektimi dhe iu duk sikur u bë figurë e rëndësishme e PS kur u bë aksidentalisht kryeministër në vitet 2000 dhe të gjithë kompleksin që kishte ndaj Berishës, që kishte bashkëpunuar me të, që kishin bërë plane si të linin Nanon në burg dhe të merrnin pushtetin bashkë, e mori dhe bëri atë gjestin radikal që e arrestoi Berishën, për të pastruar historinë e tij dhe për tu dukur.

Ishte gjest i fortë, që nuk kanë këllqe të tjerët ta bëjnë, ai e bëri sepse ai është i vendosur në rrugën e tij si politikan. Pastaj kur e pa që PS e rrëzoi, përsëri u dorëzua te Berisha dhe nuk u nda më. E gjithë jeta e tij politike është si të funksionojë nga e majta për të patur një koalicion me të djathtën.

Mbaj mend një moment shumë personal në zgjedhjet e 2009. Unë e dija që PS nuk i fitonte dot e vetme pa LSI-në. Isha nga të paktët vetë, 2-3 vetë që rrinin afër Edi Ramës, që i bënim presion që të bënte koalicion me Metën.

Natën e fundit, mbaj mend një darkë, ku Rama tha duhet ta bëjmë, me kuç e me maç të mblidhemi, por të nesërmen reflektoi, këto historitë, Gjinushi që e donte dhe nuk e donte… Mendoi se mund t’ja dilte edhe pa Ilir Metën, që është një nga gabimet e tij fatale të asaj kohe, sepse edhe historia e Ilir Metës mund të ishte edhe më ndryshe.

Ilir Meta doli më vete dhe unë e kam mbështetur fort, sepse më dukej një njeri që po bënte një betejë që duhet të mbijetonte. Ishte në të drejtën e tij. Ishte shkëputur nga PS në 2005, kishte betejën e parë të madhe pas shkëputjes.

Rama ndjente që Meta do ta kushtëzonte fort dhe do ti merrte një pjesë të pushtetit, por u detyrua t’ja jepte atë në 2013.

Kur mbaruan zgjedhjet dhe dolën 69 mandate Berisha, Meta 4 dhe 66 këta të tjerët. Mua më thërret Ilir Meta në telefon dhe më thonë a mund të takohemi. Më tha, çfarë të bëj unë tani, jam në hall. I thashë nuk ke ç’bën tani, do të shkosh me Partinë Demokratike, por ti duhet të qëndrosh besnik, për premtimin elektoral që ke dhënë që Ramën dhe Berishën nuk i bëj kryeministra.

I thuaj Berishës do të bëhemi bashkë, por jo ti kryeministër, një njeri tjetër nga PD.
Ai u pre në fytyrë dhe bënte këto gjestet, që kjo është shumë e rëndë. Pas dy orësh bënë deklaratë, bënë qeverinë.

Kur pas dy ditësh, del dhe thotë që në minutat e fundit më dergoi Edi Rama njërin që më tha merr 40 milionë euro vetëm mos shko te Berisha. Ky i binte të isha unë. Në fakt nuk folëm as për lekë, se për ç’lekë do flisnim?! 40 milionë….

Në fillim u nxeha shumë, pastaj u qetësova dhe bëra shkrim. E kuptova thelbin, ai po i thoshte Berishës, që më ke borxh 40 milionë euro për këtë që të bëra.

Ky është Ilir Meta. Një politikan luftëtar, nga më luftëtarët në Shqipëri, mbijetues përballë çdo skandali. Nuk ka korniza morale përballë shoqërisë. Thotë parrulla kineze kur ngelet keq, nuk e vret mendjen”, deklaroi Baze.