Në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, pati debate të forta në shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi i projekligjit “ Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësorë dhe industriale”.

Zheni Gjergji – Duke parë kërkesat që kanë ardhur, unë mendoj që duhet të mos kalojmë në votim, por ta shtyjmë për të bërë edhe një dëgjesë tjetër. Gjithsesi jeni të hapur për tu shprehur nëse duhet të bëjmë seancë tjetër dëgjimore apo duhet të votojmë.

Petrit Vasili – Debati është shumë i fortë për këtë temë edhe ndjeshmëria është shumë e fortë. Unë mendoj të bëjmë seancë tjetër dëgjimore dhe mos ta votojmë sot këtë projektligj. Ne duhet të shterojmë të gjithë aktorët e interesit.

Klodiana Spahiu- Kemi qenë të hapur për çdo propozim në këtë tryezë dhe mendoj që kemi realizuar të gjitha kushtet që vë rregullorja e parlamentit për të miratuar një projektligj. Prandaj besoj se jemi gati për votimin e tij.

Anila Denaj- Ne po flasim për një procedurë ku çdo hap ka qenë i duhuri dhe jo të vihet sot në 10.15 me një kërkesë dhe ajo të jetë jo formale. Ju po na akuzoni ne për mungesë sensibiliteti në një kohë që jemi duke bërë punën dhe jeni ju që nxisni pikërisht të kundërtën.

Petrit Vasili- Nuk kanë gojë vet këta të flasin? Me suflerë qeverie do flasin?

Ilir Metaj- Ky projektligj ka ndjekur të gjitha fazat e konsultimit me ekspertizën përkatëse kombëtare dhe nderkombetare, si edhe ate të konsultimit me publikun e gjerë dhe grupet e interesit. Madje seicila prej fazave ka marrë kohën e duhur.

Zheni Gjergji- …Jeni duke e futur këtë vend në qorrsokak…

Ilir Metaj- Më fal kryetare, po nuk mendoj se jeni personi i duhur për të akuzuar për qorrsokak, pikërisht ju që jeni duke u zhytur çdo ditë e më shumë në qorrsokakun që çon ndjekja pas e një non grate…

Petrit Vasili- Foli ky mjeku i njohur…

Ilir Metaj- Mosha juaj është ajo që është, shto edhe temperatuarat e larta këto ditë, edhe arrini të bëheni kaq qesharak. Po në fakt keni mundësi të përmirësoheni në këtë drejtim. Ju mundeni. Kryetare porositni një shishe ujë për zotërinë se ka nevojë emergjente.