Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka vendosur të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me shumën 21,250 euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes kualifikuese të Euro 2024, Shqipëri 2-0 Moldavi, e luajtur në stadiumin “Air Albania” më 17 qershor 2023.

Gjithçka ka ardhur pasi siç njofton FSHF, grupimi “Fanatics” i Tiranës që ishin në mbështetje të Kombëtares kanë ndezur flakadanë gjatë duelit, gjë që nuk lejohet nga UEFA. Gjithashtu organi i futbollit në vend i bën apel tifozëve që shfaqje të tilla të evitohen, për të mos rënduar me penalitete financiare.

Kujtojmë se për grupin E kualifikues të Europianit 2024 që do zhvillohet në Gjermani, Kombëtarja fitoi dy ndeshjet e qershorit dhe mban vendin e dytë me gjashtë pikë në grup, një pikë më pak se Çekia kryesuese. Në shtator, tanët luajnë me çekët në transfertë dhe Poloninë në Tiranë.