Inter Miami fitoi 2-1 me Cruz Azul për ndeshjen e Kupës në SHBA. Goli i fitores për vendasit nga Florida u shënua nga Lionel Messi, me kampionin e botës që debutoi me fitore duke vendosur ndeshjen për skuadrën e tij të re.
Tata Martino kishte vendosur që Messi ta niste ndeshjen nga stoli, teksa u fut në fushë në të 54 minutë. Do duhej minuta e 90+4 që Messi me një perlë nga goditja e dënimit ta ndalte sferën në trekëndëshin e portierit Portillo, për të çuar peshë 20 mijë të pranishmit që kishin mbushur plot stadiumin.
Kësisoj Messi debuton me gol në ndeshjen e parë në Miami, teksa në stadium për të parë debutimin e tij ishin shumë persona VIP, si këngëtarë, artistë dhe basketbollistë.
Në fushë u hodh edhe Busquets, që do jetë sërish shok skuadre me Messin në SHBA.