Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti nuk do të jetë në takimin e sotëm të homologut të tij të Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, Albin Kurti nuk do të marrë pjesë pasi muaj më parë ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë tjetër në Greqi.
Kryeziu shtoi më tej se Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, më 16 tetor të këtij viti.
“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.
Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, shkruan Kryeziu.