Ish kryeministri Sali Berisha së fundmi ka dalë sërish bllof me një reagim të bërë ditën e sotme në rrjetin e tij social ku denoncon dhunën ndaj 2 përmbaruesve gjyqësorë në Librazhd nga pronari i hotelit dhe djali i tij.
Në shkrimin e publikuar, Berisha pretendon se ky rast nuk është bërë publik nga policia. Por ky pretendim i tij bie poshtë, pasi gjatë verifikimit të bërë nga 360 gradë.al rezulton se policia ka njoftuar për rastin që në datën 29 korrik, duke bërë me dije se babë e bir, dhunues të 2 përmbaruesve në detyrë, janë arrestuar.
Më poshtë njoftimi i policisë për dhunën ndaj 2 përmbaruesve:
Pas marrjes së njoftimit se në ambientet e një hoteli në fshatin Mirakë, 2 shtetas kishin goditur me grushte, për shkak të detyrës, 2 përmbarues gjyqësorë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve përgjegjës
Për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit M. H., 50 vjeç dhe N. H., 24 vjeç (babë e bir), të dy banues në Elbasan, pasi dyshohet se për shkak të detyrës, kanë goditur me grushte 2 përmbarues gjyqësorë, të cilët kishin shkuar në ambientet e hotelit të 2 shtetasve të arrestuar, për të sekuestruar pajisje të këtij hoteli, në zbatim të një vendimi civil të vitit 2014, të Gjykatës së Elbasanit, me objekt dëmshpërblimin e shtetasve të tjerë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës’’.