“Zjarrvënësit e qëllimshëm duhen evidentuar sa më parë dhe plotësisht nga Policia e Shtetit, të procedohen penalisht dhe të vihen para drejtësisë.” Me këtë apel, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi për situatën e zjarreve në vend, duke kërkuar ndëshkimin sipas ligjit të kujtdo që shkatërron pasurinë kombëtare.

“Zjarrvënësit e qëllimshëm duhen evidentuar sa më parë dhe plotësisht nga Policia e Shtetit, proceduar dhe ndjekur penalisht me të gjithë vetëdijen e lartë qytetare dhe angazhimin maksimal profesional të çdo prokurori, për vënien përpara drejtësisë dhe ndëshkimin e ashpër sipas ligjit penal të çdokujt që shkatërron pasurinë kombëtare të shumë gjeneratave!” tha ai.

Mesazhin e tij Lamallari e shoqëroi me pamje nga operacioni për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, ku prej disa ditësh vijon beteja intensive me flakët. Në video shihen avionët “Air Tractor”, helikopterët dhe qindra efektivë të angazhuar në terren.

Ministri tha se operacioni po zhvillohet njëkohësisht nga toka dhe ajri, ndërsa forcat e Shërbimit Zjarrfikës, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe Emergjencave Civile po punojnë pa ndërprerje, pavarësisht temperaturave të larta.

“Do të vijojmë me të njëjtën vendosmëri deri në neutralizimin e plotë të rrezikut dhe shpëtimin e Parkut Kombëtar të Lurës”, shkruan Lamallari.