Bumit turistik të Shqipërisë po i dëgjohet jehona edhe në Greqi. “Kathimerini”, një prej të përditshmeve më të lexuara në vendin fqinjë shkruan se Shqipëria po tregon se po shndërrohet në një destinacion të pëlqyer për turistët grekë dhe ata italianë.
Plazhet greke janë prej kohësh, destinacione të preferuara për shumë shqiptarë ashtu si edhe për ata nga vende europiane, për kaluar pushimet verore, por duket se tani edhe mediat greke po e pranojnë realitetin e ri, me turizmin shqiptar që po i konkurron bindshëm.
Kathimerini shkruan se në 1997, shqiptarët përpiqeshin dëshpërimisht të iknin nga vendi për t’i shpëtuar varfërisë, destabilitetit politik dhe krimit, duke mbushur varkat për të Itali. Këtë vit, janë turistët italianë dhe ata nga vende të tjera europiane përfshirë Greqinë, që po mbushin plazhet shqiptare, duke përfituar edhe nga akomodimi dhe transporti me çmime të ulëta.
Në shkrimin e të përditshmes greke theksohet se turistët që mbërrijnë në aeroportet ndërkombëtare të Shqipërisë u dyfishuan në Qershor, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Veçohen turistët italianë – për të cilët Kathimerini pranon se po preferojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë në vend të pushimeve në plazhet e vendit të tyre, ku shifrat janë reduktuar me 20% deri 30% gjatë katër muajve të parë të 2023-shit.