Gazeta italiane Libero nën titullin Edi Rama, artisti i famshëm që për punë bën kryeministrin, boton këtë të dielën një artikull të gjatë për kreun e qeverisë shqiptare.
Libero, një e përditshme e djathtë në Itali e nis artikullin me vizitën e fundit të Giorgia Melonit në Shqipëri, të cilës i ranë në sy plazhet, deti dhe mikpritja. Kjo vizitë, sipas Libero, riktheu vëmendjen tek figura e Edi Ramës, kryeministër prej vitit 2013. Ai ka qenë ministër i Kulturës, kryetar i Bashkisë së Tiranës drejtues i Partisë Socialiste dhe më pas kryeministër.
Italianët sigurisht që kujtojë në ditët e para të Covid-it, kur Rama me anë të një video fliste për miqtë dhe për ndihmën që do t’i jepej Italisë në ditë të vështira. Jo të gjithë e dinë, nga ana tjetër, që Edi Rama është një artist i kuotuar në nivel ndërkombëtar. Libero shkruan për ekspozitat në të cilat mori pjesë Rama si artist dhe bashkëpunimet ndërkombëtare.
Në rini Rama, shkruan gazeta, ka qenë basketbollist dhe ka luajtur për kombëtaren e vendit të tij. Para rënies së regjimit komunist punoi si profesor në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, më pas në vitin 1994 emigroi në Francë së bashku me mikun e tij Anri Sala, i cili u bë një nga artistët më të rëndësishëm të skenës europiane. Pikërisht në atë periudhë, nga një komb për t’u rindërtuar totalisht, u afirmua një mikro-brez autorësh vërtet të rëndësishëm.
Pas kthimit në atdhe, Rama zgjedh rrugën e politikës duke zhvilluar njëkohësisht praktikën e tij artistike, veçanërisht në vizatim – abstraksione dhe në skulpturë. Ndërsa është ulur në konferenca apo takime, ai harton skica të panumërta në faqet e ditarit të tij, shënime të zyrës së protokollit, fakse dhe dokumente, por asgjë nuk është më larg nga improvizimi, në fund ka gjithmonë një projekt, një ide që zhvillon këto kompozime.
Në skulpturë, nga ana tjetër, ai punon në studio në fundjavë, në momentet e rralla kur nuk ka asnjë angazhim institucional. Në ekspozitën e fundit në Itali, në janar 2020 në hapësirën Artiaco në qendrën historike të Napolit, Rama prezantoi dy veprat. Bota është plot me njerëz të aftë për të arritur rezultate të shkëlqyera jo vetëm në profesionin e tyre kryesor, por edhe në fusha që mund t’i konsiderojmë si hobistë, arritja në Bienalen e Venecias si kryeministër është me të vërtetë një gjë e rrallë.
Midis politikanëve italianë, Amintore Fanfani disa herë Kryeministër i pëlqente piktura abstrakte, ndërsa presidenti rajonit Abruzzo Ottaviano, Del Tur-co, ishte i përkushtuar më shumë tek figurativja. Asnjëri prej të dyve nuk e kaloi pragun e amatorit, ndryshe nga Edi Rama, veprat e të cilit renditen në tregun ndërkombëtar me dhjetëra mijëra-euro.
Të jesh kryetar bashkie i Tiranës është forma më e lartë e artit konceptual. Dhe “art i pastër”, deklaroi ai disa vite më parë. Kjo ishte padyshim forca që e shtyu të vinte dorën për planifikimin urban të qytetit në lagje e banesa të degraduara. Rama, si një piktor, i kishte rilyer fasadat gri me ngjyra të ndezura dhe modele të gjalla. Rezultati ishte befasues dhe së shpejti “qyteti me ngjyra” u bë një atraksion i vërtetë turistik.