Një video e re ka dalë në qarkullim ku shfaqet Yevgeny Prigozhin, vetëm pak ditë përpara vdekjes.

“Për ata që po diskutojnë nëse jam gjallë apo jo, dhe si është gjendja ime, mund t’ju them se është fundjavë, gjysma e dytë e gushtit të vitit 2023, jam në Afrikë. Pra, për të gjithë njerëzit që diskutojnë të më zhdukin apo se sa unë fitoj, po u them se gjithçka është mirë”, shprehet në materialin filmik ish kreu i Wagner.

Ai u konfirmua i vdekur nga shteti rus, bashkë me 9 persona të tjerë të rrethit të ngushtë të grupit famëkeq, pas rrëzimit të një avioni në territorin rus. Kremlini nuk përjashton mundësinë që vrasja të ketë qenë e qëllimshme, ndërsa ka dyshime se në mjetin fluturues të Prigozhin të jetë vendosur një bombë.

Ndërkohë, Ukraina po çliron territor të pushtuar nga ushtria ruse. Drejtuesit e forcave të armatosura të Kievit kanë konfirmuar se kundërofensiva po vazhdon në dy drejtime, në Melitopol dhe Bakhmut. Më herët, u njoftua dhe çlirimi i Robotyne, ndërsa theksohet se janë frenuar një sërë sulmesh nga Rusia në Donjeck dhe Zaporizhzhia, dy fronte të tjera në të cilat po zhvillohet kundërofensivë nga Kievi. Avancimin e ushtrisë ukrainase në terren e konfirmon dhe NATO.

Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO, u shpreh: “Ukrainasit po fitojnë gradualisht terren, që do të thotë se ata po shtyjnë pas rusët dhe se po çajnë përmes atyre territoreve të mbrojtura ashpër dhe zonave të minuara. Prandaj është edhe më e rëndësishme që t’i mbështesum ata, pasi të gjithë ne e dimë që kjo është një betejë dhe luftë e ashpër”.

Sakaq, beteja nuk është vetëm në tokë, por edhe në qiell. Rusia pretendon se ka rrëzuar katër dronë të lëshuar nga forcat ukrainase. 3 prej tyre raportohen në rajonin e Briansk dhe një tjetër në rajonin e Moskës. Wagner konfirmoi se një stemë e tyre është gjetur në njërin prej dronëve të Ukrainës të rrëzuar në rajonin rus të Oryol, duke akuzuar Kievin për një provokim.