Edhe pse Banka Qendrore Evropiane ka rritur dy herë normat bazë të interesit në tremujorët e fundit duke i dërguar në nivelin 3.75%, forcimi i lekut në kursin valutor dhe rritja rekord e turizmit po bëjnë që vendi ynë t’i rezistojë presionit.
Banka e Shqipërisë edhe për këtë tremujor do të mbajë të pandryshuar normat e interesit për lekun në nivelin 3%. Guvernatori u shpreh se inflacioni do ulet në mesin e 2024-ës, por rreziqet sipas tij mbeten.
“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këtë kontest, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për garantimin e stabilitetit të çmimeve.”- u shpreh guvernatori Gent Sejko. Banka e Shqipërisë u shpreh se luhatjet në kursin valutor janë bërë të shpeshta dhe anormale. Për këtë po planifikohet të ndërhyhet për stabilizimine saj.
“Këshilli Mbikëqyrës thekson Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj shpejtësisë së forcimit dhe luhatjeve të shtuara të kursit të këmbimit gjatë muajve të fundit. Nëse zgjerohen më tej, këto fenomene mund të dëmtojnë funksionimin normal të tregut valutor, si dhe – potencialisht – objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetin financiar. Nëse do të konstatohen këto premisa, Banka e Shqipërisë rezervon të drejtën të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor, në përmbushje të mandatit të saj ligjor.” Euro ka pasur një fillim jave me rënie të vrullshme, duke humbur pesë pikë deri të mërkurën, ndërsa një javë më parë ngjitej drejt nivelit 106 kundrejt lekut. Këto luhatje kanë shkaktuar shqetësim te Banka e Shqipërisë.