Eksperti i Tregut Hidrokarbur, Bardh Sejdarasi i ftuar në “Newsline” me Viol Xhafaj në ABC News, foli në lidhje me naftën Shpirag dhe lajmet e dala së fundmi.

Sejdarasi tha se kompania SHELL që po punon në Shpirag është një nga 7 kompanitë më të mira të botës dhe ka lidhje me 70 shtete.

Sipas tij shteti dhe kompania tanimë kanë një marrëveshje të veçantë në lidhje me ndarjen e nxjerrjes së naftës.

“SHELL është kompania e 7 në botë dhe ka marrëdhënie me 70 shtete, Shqipëria është e 71.

U rikthye në Shqipëri në 2012 dhe vetëm në shkurt ka lidhur kontrate me qeverinë shqiptare. Marrëveshje e veçantë dhe specifike, marrëveshje me ndarje të nxjerrjes së pjesës së naftës.

Unë ju them që në deri ne vitin 2014 deri në 2019 është shpuar në Shpirag, 1,2,3 dhe në 2022 është shpuar edhe 4.

Kompani të kësaj natyre zakonisht i mbajnë konfidenciale të dhënat. Ajo nuk deklaron as kapjen e rezervës dhe madhësinë e saj. Sepse rezerva duhet kapur në disa pika, për të parë madhësinë e tij.

Bëhet fjalë për një investim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre viteve, Shpirag 5 ka dhënë rezultatin final, ajo që kemi folur ditët e fundit.

Tani është e rëndësishme është fluksi i nxjerrjes së naftës,” tha eksperti.

Nëse në përfundim të të gjithë testeve gjithçka do të jetë sipas parashikimeve, Hejdarasi thotë se sasia e naftës do të plotësojë nevojat e vendit dhe do të eksportohet.

Ai shprehet shumë optimist edhe për punimet që po bëhen nga kompania ENI në fushën e Dumresë.

“Ne tani nuk kemi asgjë. Ne nuk kemi rafineri. Por ne kemi mundësinë të flasim kur puset të dalin në prodhim.

Në momentin që do të realizohet ky projekt, do të kemi disa mundësi. Në momentin që del fuçia e parë qeveria fiton 250 mijë dollarë.

Nëse dalin 15 mijë fuçi në ditë merr 7500 mijë dollarë dhe nëse kalon 30 mijë merr 1.5 milion euro bonus.

Përvec SHELL në Dumre po punon ENI që jam i sigurtë që do të dalë naftë. Vetëm në këtë moment Shqipëria do të ketë mundësinë të ndërtojë një rafineri.

Sasia e naftës që do të dalë, jo vetëm që do të plotësojë nevojat, por do të ketë mundësinë të eksportojë,” shtoi eksperti.

Në fund në lidhje me investimet që pritet të bëhen në vend kur Shpirag të jetë gati, në bujqësi, kozmetikë, pensione, shëndetësi dhe arsim, Sejdarasi se këto janë shumë pak në krahasim me atë çka mund të realizohet.