Nga sot Ismail Kadare mban edhe shtetësinë e Republikës së Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani, e cila ka nënshkruar edhe dekretin u shpreh se ky fakt, është nderim për Kosovën, pasi shkrimtari, sipas saj, është një pikë referimi për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, pasi me krijimtarinë e tij ka promovuar gjuhën, kulturën e traditën vendase.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Dorëzimi i shtetësisë, siç bëhet me dije në faqen zyrtare të Presidencës së Republikës së Kosovës, do të bëhet gjatë vizitës së radhës së presidentes Osmani në Shqipëri.
Pak kohë më parë Osmani dekoroi Kadarenë dhe me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti që jep Kosova për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.
Autor i romaneve si “Prilli i thyer”, “Kronikë në gurë”, “Kështjella”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, si dhe shumë veprave tjera, Kadare, 87-vjeçar, është një nga figurat më të njohura të letërsisë shqiptare që nga vitet 1960. Ai ka fituar shumë çmime për letërsi në mbarë botën përgjatë karrierës së tij, si dhe është përmendur disa herë si kandidat i mundshëm për dhënien e çmimit Nobel në Letërsi. Veprat e tij janë përkthyer dhe botuar në rreth 30 gjuhë.