Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ka reaguar sërish në lidhje me naftën e zbuluar në Shpirag të Beratit.
Përmes një statusi në ‘Facebook” ajo shprehet se tashmë do të nisë një rrugë e gjatë ndryshuese për vendin tonë dhe se e gjithë kjo pasuri e zbuluar i përket shqiptarëve.
Balluku shprehet se dekada që kemi përpara do të shënojë një periudhë të re, të begatë për vendin tonë.
“Zbulimi i Shell Upstream Albania, është një gur kilometrik për një vend naftëmbajtës si Shqipëria, por që kurrë më parë nuk ka pasur një mundësi të vërtetë të zbulimit të potencialeve nëntokësore që ka. Prej këtu nis një rrugë e gjatë ndryshuese për vendin tonë dhe ne jemi të angazhuar të arrijmë përmes bashkëpunimit me kompanitë e ekselencës botërore, rezultatet më të favorshëm, por mbi të gjitha të jemi transparent dhe të komunikojmë me shqiptarët gjithçka, pasi të gjitha këto pasuri i përkasin popullit dhe do të jenë në funksion të tij përmes një Fondi Sovran, duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare. Dekada që kemi përpara do të shënojë një periudhë të re, të begatë për vendin tonë, një periudhë të re për çdo fëmijë, vajza e djem, burra e gra që kanë besuar dhe nuk janë asnjëherë dorëzuar së besuari, se Shqipëria është vendi ku ata duan të jetojnë.”-tha Balluku.