Prokuroria e Posaçme anti-korrupsion i ka kërkuar Ministrisë së drejtësisë që të nisin menjëherë procedurat për ekstradimin e Behar Bajrit. Mësohet se ditën e sotme i është dërguar Ministrisë gjithë praktika në lidhje me këtë të akuzuar bashkangjitur edhe vendimin e GjKKO për masën arrest me burg. Bajri u arrestua më 4 shtator në një lokal në Paris, në kuadër të hetimeve për dosjen ‘Metamorfoza’.

Shqipëria nuk ka një marrëveshje të nënshkruar ekstradimi me Francën, megjithatë, tentativa do të bëhet përmes shfrytëzimit të konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për të bindur gjykatat atje.

Dosja do të përpilohet e plotë dhe përmes Ministrisë së Drejtësisë do t’u vihet në dispozicion autoriteteve franceze. Në dosjen “Metamorfoza” Behar Bajri përveccse akuzohet si organizator i vrasjes së Gjin Boriçit për llogarit të të zhdukurit Ervis Martinaj, dyshohet edhe për sigurimin e personave për vrasjen e mbetur në tentativë të Kleanthi Musabelliut, për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe porositës i vrasjeve që nuk u kryen asnjëherë të Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit.

Të gjitha këto ngjarje, Behar Bajri i organizoi e planifikoi pas daljes nga burgu me masë të lehtësuar arresti, të firmosur nga prokurori Xhevahir Lita, i arrestuar pasi dyshohet se mori 30 mijë euro për këtë nder.