Gazetari Skënder Minxhozi, i ftuar në studion e “Newsline” foli edhe në lidhje me deklaratën e DASH, e cila i bëri një dush të ftohtë Athinës, duke thënë se për çështjen “Beleri” duhet të merret vetëm drejtësia shqiptare.

Kjo deklaratë sipas tij mund të ndikojë në ndryshimin e qëndrimit nga Athina. “Natyrisht që do të shërbejë. Pak ditë më parë ka qenë BE, e cila ka shprehur mungesën e vullnetit për të ndërhyrë në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe e ka lënë çështjen jashtë politikës.

Ndërkohë qëndrimi i fundit amerikan, rikonfirmon faktin se SHBA përtej çështjes “Beleri”, ka një specifikë, sepse ky shtet eshte sponsori kryesor i reformës në drejtësi në Shqipëri. Do të ishte një vetëvrasje e vogël për Uashingtonin nëse do të kërkonin diçka të tillë, pasi do te zhvlerësonin vetë reformen ne drejtesi, tha Minxhozi.

Qëndrimi amerikan është edhe një vlerësim indirekt për drejtësinë tonë të re, tha ai, që nuk po heton vetëm Belerin, por edhe një sërë zyrtarësh të rëndësishëm socialistë”.

Në lidhje me mundësinë që Athina të “fusë duart” në censin që do të bëhet në Shqipëri, Minxhozi tha se një gjë e tillë teorikisht ekziston, por u shpreh se beson se ky proces do të vijojë normalisht.

“Në momentin që etnia është një komponent i lënë në vullnetin e tyre që regjistrohen, teorikisht ekziston një mundësi e tillë. Siç e thashë, feja dhe etnia në Ballkan janë armë të vjetra dhe të reja. Janë përdorur rregullisht nga të gjitha shtetet e rajonit, kundër fqinjëve.

Nëse t’i konfirmon që në territorin e fqinjit tënd ke një popullsi e cila rrjedh nga ty si shtet, synon që kjo popullsi, ky komunitet të jetë sa më i madh që të jetë i mundur, pasi eshte nje faktor qe perdoret si karte presioni në zënkat e konfliktet mes shteteve, shtoi Minxhozi.

Duke vijuar në lidhje me censusin, Minxhozi tha se në Ballkan censi nuk është kurrë thjeshtë aritmetikë, por ka një peshë tjetër, sepse sipas tij etnia dhe feja, janë keqpërdorur dhe keqpërdoren skajshëm mes shteteve fqinje.

Nuk është rastësi që Rama sot evokon në ditën e lincimit të censit, problemit që Shqipëria ka me Greqinë, që në themel është një problem pretendimesh etnike, jo territoresh të paktën zyrtarisht. Një problem therës mes dy vendeve, sepse prej kohësh te drejtat e minoriteteve reklamohen sidomos nga pala greke, ndërkohë që ne shprehemi tejet të ndrojtur për elementin shqiptar në Greqi.