Nga Alba Malltezi/

Bernard Tapie ishte një superpersonazh në Francën e viteve ’80, një djalë punëtori dhe kujdestareje të moshuarish, që u bë një nga 400 njerëzit më të pasur në botë. Njeriu që bëri të qajë Berluskonin kur e tija Olimpik Marsejë mundi Milanin në vitet ’90. Netflix i ka kushtuar një serial që (siç ndodh në këto raste) nuk ka pëlqimin e familjarëve.

Bernard Tapie ishte aktor, prezantues televiziv, sipërmarrës, këngëtar, ministër nën presidencën e Mitarrand. Tek ai, në formën e grimcave mikroskopike secili prej nesh në Shqipëri, mund të shohë ambicjet dhe format e një biznesmeni shqiptar, e një politikani të Shqipërisë, të një shoumeni të televizioneve tona dhe sidomos, të guximit në shpërfilljen e ligjit në momentin që të gjitha këto në një njeri krijojnë ndjenjën e paprekshmërisë.

Një nga pjesët më interesante të serialit është pikërisht përballja me një prokuror të Republikës Franceze, të cilit nuk i bëri fare përshtypje as pesha e milionave të Bernard Tapie, as vetëbindja e tij se askush nuk mund të guxonte ta mposhtte. Në fakt, sipas dëshmive të fëmijëve, pseudonimi që i pëlqente më shumë ishte Feniks, pasi e tillë kishte qenë jeta e tij: ringritje pas çdo rrëzimi apo falimentimi.

Të vetmen herë që Bernard Tapie, në kulmin e karrierës së tij, përfundoi në burg, ishte për korrupsion, manipulim dëshmitarësh dhe blerje ndeshje Valencienne-Olimpik M. Gjashtë muaj pas hekurave për njeriun që realizoi të vetmen fitore europiane për një ekip futbolli francez, të sjellin në mendje se si vende si SHBA, Franca, Italia, Britania e Madhe, Gjermania e kanë ngritur demokracinë e tyre duke çliruar, në radhë të parë, nga komplekse inferioriteti përballë kujtdo, njerëzit e drejtësisë. Nëse kudo mund të shohësh një Bernard Tapie, në pak vende të botës, ka prokurorë që nuk do të trembeshin prej tij.